Vendosni fjalën kyçe....

Starmer hedh në kosh planin e Sunak për dëbimin e azilkërkuesve në vendin afrikan


Kryeministri i ri i Britanisë Keir Starmer tha të shtunën se do anulonte planin e diskutueshëm për të fluturuar mijëra azilkërkues nga Britania në Ruanda në njoftimin e tij të parë politik që nga fitorja dërrmuese në zgjedhje.

Qeveria e mëparshme konservatore njoftoi fillimisht planin në vitin 2022 për të dërguar emigrantët që mbërritën në Britani pa leje në kombin e Afrikës Lindore, duke thënë se kjo do t’i jepte fund azilkërkuesve që mbërrinin me varka të vogla.

Por askush nuk u dërgua në Ruandë sipas planit për shkak të viteve të sfidave ligjore.

Në konferencën e tij të parë për shtyp që kur u bë kryeministër, Starmer tha se politika e Ruandës do anulohej sepse vetëm rreth 1% e azilkërkuesve do ishin larguar dhe masa do dështonte  të vepronte si një pengesë.

“Skema e Ruandës ishte e vdekur dhe e varrosur para se të fillonte. Nuk ka qenë kurrë një pengesë,” tha Starmer.

“Unë nuk jam i përgatitur të vijoj me truket që nuk veprojnë si pengesë.”

Starmer fitoi një nga shumicat më të mëdha parlamentare në historinë moderne britanike të premten, duke e bërë atë udhëheqësin më të fuqishëm britanik që nga ish-kryeministri Tony Blair, por ai përballet me një sërë sfidash, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve publike në vështirësi dhe ringjalljen e një ekonomie të dobët.

Në konferencën për shtyp në Downing Street, Starmer iu përgjigj dhjetëra pyetjeve sidomos si dhe kur do fillonte të përmbushte premtimet e tij për të rregulluar problemet e vendit, por ai dha pak specifika për atë që kishte planifikuar.

I pyetur nëse ishte i gatshëm të merrte vendime të vështira dhe të rriste taksat nëse është e nevojshme, Starmer tha se qeveria e tij do identifikonte problemet dhe do vepronte në fusha të tilla si trajtimi i një sistemi të tejzgjatur burgjesh dhe pakësimi i kohëve të gjata të pritjes për të përdorur shërbimin shëndetësor shtetëror.

“Ne do të na duhet të marrim vendime të vështira dhe t’i marrim ato herët dhe do e bëjmë këtë. Ne do ta bëjmë këtë me një ndershmëri të lartë,” tha ai.