Vendosni fjalën kyçe....

Dhjetra viktima pas sulmit izraelit në shkollën e OKB-së në Gaza


Izraeli goditi një shkollë në Gaza të enjten në atë që e përshkroi si një sulm ajror në shënjestër ndaj  30 luftëtarëve të Hamasit që ndodheshin brenda ndërsa një zyrtar i Hamasit tha se 40 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, u vranë teksa ishin strehuar në një godinë në administrimin e OKB-së.

Pamjet video treguan palestinezët duke tërhequr trupat pas sulmit, i cili ndodhi në një çast të ndjeshëm në bisedimet e ndërmjetësuara për një armëpushim që do përfshinte lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe disa prej palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Shtetet e Bashkuara lëshuan një deklaratë të përbashkët me vendet e tjera të enjten duke i bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit të bëjnë çfarëdo kompromisi të nevojshëm për të përmbyllur një marrëveshje pas tetë muajsh luftë në Rripin e Gazës.

Ismail Al-Thawabta, drejtori i zyrës së mediave qeveritare të Hamasit, hodhi poshtë pohimin e Izraelit se shkolla e OKB-së në Nuseirat, në Gaza qendrore, kishte fshehur një bazë komandimi të Hamasit.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë kishin kryer një “sulm të saktë” dhe kishin qarkulluar fotografi satelitore që nxjerrin në pah dy pjesë të një ndërtese ku tha se ishin vendosur luftëtarët.

“Ne kemi shumë besim te inteligjenca,” tha zëdhënësi ushtarak, Nënkoloneli Peter Lerner, duke akuzuar luftëtarët e Hamasit për përdorimin e qëllimshëm të objekteve të OKB-së si baza operative.

Ai tha se 20-30 luftëtarë ishin vendosur në kompleks dhe shumë prej tyre ishin vrarë, por nuk kishte hollësi të sakta pasi po kryheshin vlerësimet e inteligjencës.

“Unë nuk jam në dijeni të viktimave civile dhe do isha shumë, shumë i kujdesshëm për të pranuar çdo gjë që Hamasi nxjerr,” tha ai.

Shkolla, e drejtuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), po strehonte 6,000 njerëz të zhvendosur në atë kohë, tha shefi i UNRWA, Philippe Lazzarini.

“Të paktën 35 njerëz u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën,” shkroi ai në X.

“Pretendimet se grupet e armatosura mund të kenë qenë brenda strehës janë tronditëse. Megjithatë ne nuk jemi në gjendje t’i verifikojmë këto pretendime. Sulmi, shënjestrimi ose përdorimi i ndërtesave të OKB-së për qëllime ushtarake janë një shpërfillje e hapur e së drejtës ndërkombëtare humanitare.”

Thawabta dhe një burim mjekësor thanë se 40 ishin vrarë, përfshirë 14 fëmijë dhe nëntë gra.