Vendosni fjalën kyçe....

Brazil, 57 persona humbin jetën nga përmbytjet dhe 67 të zhdukur


Numri i të vdekurve nga shirat në shtetin më jugor të Brazilit, Rio Grande do Sul, u rrit në 57, thanë autoritetet lokale të shtunën pasdite, ndërsa dhjetëra ende nuk dihen.

Autoriteti i mbrojtjes civile të Rio Grande do Sul tha se 67 persona ishin ende të zhdukur dhe më shumë se 32,000 ishin zhvendosur pasi stuhitë kanë prekur gati dy të tretat e 497 qyteteve në shtetin, i cili kufizohet me Uruguain dhe Argjentinën.

Përmbytjet shkatërruan rrugë dhe ura në disa rajone të shtetit. Stuhia shkaktoi gjithashtu rrëshqitje dheu dhe shembje të pjesshme të një dige në një hidrocentral të vogël. Një digë e dytë në qytetin e Bento Goncalves është gjithashtu në rrezik të shembjes, thanë autoritetet.

Në Porto Alegre, kryeqyteti i Rio Grande do Sul, lumi Guaíba theu brigjet e tij, duke përmbytur rrugët.

Aeroporti ndërkombëtar i Porto Alegre ka pezulluar të gjitha fluturimet për një periudhë të pacaktuar.

Në rajonet veriore dhe verilindore të shtetit priten reshje shiu në 36 orët e ardhshme, por volumi i reshjeve ka ardhur në rënie dhe duhet të jetë shumë nën pikun e parë gjatë javës, sipas autoritetit shtetëror meteorologjik.

Megjithatë, “nivelet e ujit të lumit duhet të qëndrojnë të larta për disa ditë,” tha të shtunën guvernatori Eduardo Leite në një video të drejtpërdrejtë në mediat e tij sociale, duke shtuar se është e vështirë të përcaktohet për sa kohë.

Rio Grande do Sul është në një pikë takimi gjeografik midis atmosferës tropikale dhe polare, e cila ka krijuar një model moti me periudha të shiut intensiv dhe të tjera të thatësirës.

Shkencëtarët vendas besojnë se modeli është intensifikuar për shkak të ndryshimeve klimatike.

Shirat e dendur kishin goditur tashmë Rio Grande do Sul shtatorin e kaluar, pasi një ciklon ekstratropik shkaktoi përmbytje që vranë më shumë se 50 njerëz.

Kjo erdhi pas më shumë se dy viteve të një thatësire të vazhdueshme për shkak të fenomenit La Nina, me shira të pakta.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA