Vendosni fjalën kyçe....

Banesat e dëmtuara nga tërmeti, bashkitë Kavajë e Vorë kërkojnë shpërndarjen e 200 milionë lekëve për 590 familje


Shpërndarja e granteve të rikonstruksionit për qytetarët shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 2019-s do të vijojë edhe për 2022.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit miratoi vendimin për shpërndarjen e 200 mln lekë granteve për apartamentet e dëmtuara në Kavajë dhe Vorë. Fondet i disbursohen pushtetit vendor pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Për Kavajën është kërkuar miratimi i fondit me vlerë 184,3 mln lekë për 590 familje sipas kërkesës së paraqitur nga pushteti vendor. Konkretisht për 93 familje apartamentet e të cilëve janë klasifikuar me dëmtime DS1 , t’u shpërndahet fondi me vlerë 9,3 mln lekë.

Për 297 familje më dëmtim të shtëpive të klasifikuara në shkallën DS2 t’u shpërndahet fondi me vlerë 74,2 mln lekë dhe për 202 familje me apartamente të dëmtuara DS3 t’u shpërndahet fondi me vlerë 100,7 mln lekë.  për vitin 2020 në qytetin e Kavajës u paguan 996 familje në fondin me vlerë 264 mln lekë. Në total fondi i miratuar ishte 364,6 mln lekë.

Komisioni Shtetëror i Rindërtimit ka kërkuar edhe miratimin e fondit me vlerë 14,9 mln lekë për rikonstruksionin e mjediseve të përbashkëta për 7 pallate në Vorë të klasifikuara me shkallë dëmtimi DS1, DS2 dhe DS3. Në 2020 në Vorë u shpërndanë grante për rikonstruksionin e shtëpive për 869 familje. Fondi i paguar ishte në vlerën e 115 mln lekëve.

Programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në  11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit aplikuan online në 2020 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në fund të marsit 2020.

Sakaq Komisioni Shtetëror i Rindërtimit miratoi në muajin nëntor kërkesën e bashkive Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Shijak, Mirditë dhe Kurbin për shpërnadrjen e rreth 6 mld lekë granteve të rikonstruksionit për shtëpi të klasifikuara me dëmtime të shkallës DS1-DS3 dhe DS4.

Për Tiranën Komisioni i Rindërtimit miratoi financimin e fondit “Grante për rikonstruksionin” me vlerë 3,5 mld lekë për ndërtime të klasifikuara me dëmtime DS1-DS3 dhe DS4, për Durrësin 1,7 mld lekë, për Rrogozhinën 624 mln lekë, për Shijakun 158 mln lekë, për Kurbinin 28 mln lekë dhe për Mirditën rreth 6 mln lekë.

Sipas vendimit të Komisionit të Rindërtimit pjesa më e madhe e fondit për Tiranën me vlerë rreth 1,1 mld lekë do të përdorej për kryerjen e punimeve për riforcimin e 22 njësive të banimit në pallat të cilat janë klasifikuar si objekte me dëmtime të mëdha strukturore me shkallë dëmtueshmërie DS4 dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para dhe 1,8 mld lekë për rindërtimin nga e para për njësi individuale të banimit.

Ndërsa fondi me vlerë 240 mln lekë do të përdoret për rikonstruksionin e 272 apartamenteve të klasifikuara me dëmtime DS1-DS3. Në Durrës 1,1 mld lekë do të financojnë kryerjen e punimeve për forcimin e 18 njësive të banimit në pallat dhe 473 mln lekë për kryerjen e punimeve për riforcimin e 68 shtëpive individuale./D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor