Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja ndalon metalet ruse


Uashingtoni ka ndaluar importin e aluminit, bakrit dhe nikelit me origjinë ruse në SHBA dhe është bashkërenduar me Britaninë për të goditur tregtinë e këtyre metaleve në shkëmbimet globale.

Vendimi do prekë metalet e prodhuara në Rusi pas 13 prillit 2024, me bursat kryesore të mallrave në botë, London Metal Exchange (LME) dhe Chicago Mercantile Exchange (CME), të vendosura për të ndaluar tregtinë e këtyre metaleve.

Ndalimet e reja do “vijojnë të synojnë të ardhurat që Rusia mund të fitojë” për të financuar operacionin e saj ushtarak në Ukrainë, tha Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen në një deklaratë për shtyp të premten.

SHBA-ja synon të “zvogëlojë të ardhurat e Rusisë duke mbrojtur partnerët dhe aleatët tanë nga efektet e padëshiruara”, shtoi Yellen.

Sipas ambasadorit të Moskës në SHBA, Anatoly Antonov, ky “hap i pajustifikuar dhe i politizuar” do marrë përgjigjen e duhur.

Vendimi i Uashingtonit është “ndoshta i bazuar në llogaritjet se çmimet e mallrave nuk do rriten në qiell në SHBA,” tha Antonov, duke vënë në dukje se SHBA-ja tashmë ka pakësuar importet e veta të metaleve ruse në minimum.

Megjithatë, me këtë lëvizje të re “të paligjshme”, administrata amerikane në fakt “provokon prishjen e ekuilibrave në tregjet globale duke përfshirë shtetet e saj satelite në sanksione”, shtoi ai.

Rusia do ndërmarrë hapa të mëtejshëm për t’u përballur me sanksionet perëndimore dhe për të diversifikuar tregtinë e saj të jashtme, tha të martën ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë një vizite në Kinë.