Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria rikthen bastet sportive online, 10 licenca në rang kombëtar


Qeveria do rikthejë bastet online. Këshilli i Ministrave miratoi më 19 korrik ndryshimet në projektligjin për lojrat e fatit sipas të cilave bastet do mund të luhen vetëm online e jo në pika fizike, shkruan Shqiptarja.

Bastet do mund të luhen në telefona, tabletë, laptopë e kompjutera. Platformat e lojës do autorizohen nga Komisioni i Licencimit që do ngrihet në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, (AMFL). Në projektligj është përcaktuar se licenca për bastet online do jetë e kufizuar pasi do jepen vetëm 10 licenca.

Subjekti aplikues ose të paktën njëri prej aksionarëve të tij duhet të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD për një periudhë jo më pak se 3-vjeçare.

Gjithashtu duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 000 000 000 (dy miliardë) lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.

Gjithashtu duhet të jetë shoqëri aksionere me seli në territorin e Shqipërisë dhe të jetë e regjistruar në QKB, në objektin e veprimtarisë për lojëra fati në kategorinë ‘Baste sportive on-line’. 

Sistemi ku do të zhvillohen lojërat “bastet sportive on-line duhet të operojë mbi një server të monitorueshëm online    nga AMLF-ja. Gjithashtu për të marrë licencën subjekti duhet të ketë një kapital jo më pak se 40 000 000 (dyzet milionë) lekë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e ulët për të tërë periudhën e vlefshmërisë së licencës.

Gjithashtu duhet të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë për kategorinë ‘Baste sportive on-line’.

Nëse aksionarët e subjektit aplikues janë individë, ata nuk duhet të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk duhet të jenë në ndjekje penale për evazion fiskal dhe/ose doganor, shpërdorim detyre, mitmarrje apo mitdhënie, vjedhje, trafik lëndësh narkotike apo armësh, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, eksplozivësh, mospagim gjobash apo për vepra të tjera penale, që kompromentojnë personin në nderin e personalitetin e tij.

Nuk duhet të jetë as debitor ndaj institucioneve shtetërore.

Aplikimi për licencë kushton 500 000 (pesëqind mijë) lekë e cila  kalon në favor të AMLF-së dhe është e pakthyeshme pavarësisht aplikimit të suksesshëm apo jo të subjektit.”