Vendosni fjalën kyçe....

Politikanët evropianë shfaqen në TikTok një e nga një pavarësisht shqetësimeve të sigurisë


Kur Simon Harris u bë kryeministër i Irlandës në pritje në mars, ai iu drejtua një platforme të favorizuar për t’u shprehur: TikTok-ut.

Në një video me ‘FALEMINDERIT’ të shkruar me shkronja të verdha, njeriu që do jetë kryeministri më i ri i Irlandës u tregoi 95,000 ndjekësve të tij për rrugëtimin e tij të vështirë , nga një “adoleshent me mendime dhe humor”, që vuante nga mungesa e ndihmës arsimore për vëllain e tij autik.

Harris, i quajtur ndonjëherë “TikTok Taoiseach”, është ndër pararojë e politikanëve evropianë që kanë përqafuar platformën e mediave sociale në pronësi kineze, duke llogaritur se nevoja për të arritur votuesit më të rinj tejkalon shqetësimet e sigurisë.

Me afrimin e zgjedhjeve evropiane në qershor, politikanët kryesorë janë të kujdesshëm për t’u lëshuar terren partive ekstreme që kanë shfrytëzuar me sukses formatin e shkurtër të videove të TikTok.

Por aplikacioni është nën kontroll në rritje në Perëndim për shkak të frikës se të dhënat e përdoruesve nga aplikacioni në pronësi të kompanisë me bazë në Pekin, ByteDance, mund të përfundojnë në duart e qeverisë kineze.

Agjencitë gjermane të sigurisë, për shembull, kanë paralajmëruar kundër përdorimit të aplikacionit për shqetësimet se mund të ndajë të dhëna me qeverinë e Kinës ose të përdoret për të ndikuar tek përdoruesit.

Në SHBA, ligjvënësit duan të detyrojnë një shitje të platformës nga pronari i saj kinez ose ta ndalojnë atë nga dyqanet e aplikacioneve. Presidenti Biden e ka ngritur shqetësimin me presidentin kinez Xi Jinping.

TikTok thotë se paralajmërimet e sigurisë janë të pajustifikuara dhe nuk mbledh më shumë informacion se aplikacionet e tjera.

Harris, 37 vjeç, ka qenë një përdorues i hershëm në mars 2021, duke prodhuar video që shkonin nga një përmbledhje e buxhetit 60 sekonda me sfond muzikor deri te pamjet e tij duke bërë një filxhan çaj teksa shikonte futboll.

Një tjetër përdorues është presidenti francez Emmanuel Macron, i cili krenohet me 4 milionë ndjekës që kur iu bashkua TikTok-ut në vitin 2020.

Në Gjermani, përqafimi i TikTok-ut nga politikanë të lartë është një prirje më e re, me ministrin e Shëndetësisë Karl Lauterbach që është ministri i pare në vend që hap një llogari në mars.

“Revolucioni në TikTok: fillon sot,” tha ai.

“Ne nuk mund t’ia lëmë mediat sociale AfD-së”, tha ai, për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) që u bë e dyta më popullore në Gjermani.

Atij iu bashkua të hënën shefi i tij, kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili hapi llogarinë e tij në TikTok dhe tha në X: “Nuk do kërcej. Premtoj”.

Titulli i videos së tij të parë në TikTok, i shoqëruar me muzikë të çuditshme, lexonte: “Ne jemi po aq të befasuar sa ju! (Dhe po, kancelari është me të vërtetë në TikTok tani)”.

Ministrat kryesorë të Gjermanisë kanë pasur prej kohësh një prani të vendosur në media të tjera sociale. Për shembull, Scholz, ministri i Financave, ministri i Ekonomisë dhe ministrja e Jashtme kanë të gjithë llogari në Instagram, ashtu si edhe Lauterbach.