Vendosni fjalën kyçe....

Spanja do heqë dorë nga “vizat e arta”


Spanja do heqë dorë nga programi i saj i ashtuquajtur “viza e artë” që u jep të drejta qëndrimi të huajve që bëjnë investime të mëdha në pasuri të paluajtshme në vend, u tha gazetarëve të hënën kryeministri Pedro Sanchez.

Përfundimi i skemës do ndihmonte për ta bërë qasjen në strehim të përballueshme “një të drejtë në vend të një biznesi spekulativ”, tha Sanchez.

Programi u jep qytetarëve jashtë BE-së që investojnë të paktën 500,000 euro – pa marrë një hipotekë – në pasuri të paluajtshme spanjolle një leje të veçantë, duke i lejuar ata të jetojnë dhe punojnë në vend për tre vjet.

“Sot, 94 nga çdo 100 viza të tilla janë të lidhura me investime në pasuri të paluajtshme…në qytetet e mëdha që po përballen me një treg shumë të rënduar  dhe ku është pothuajse e pamundur të gjesh strehim të mirë për ata që tashmë jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksat e tyre atje.”, tha Sanchez.

Ai shtoi se qeveria do nisë procesin për eliminimin e skemës në mbledhjen javore të kabinetit të së martës pas studimit të një raporti të paraqitur nga Ministria e Strehimit.

Nga fillimi i skemës së vizave të arta në 2013 deri në nëntor 2022, Spanja lëshoi ​​pothuajse 5000 leje, tregojnë të dhënat.

Investitorët kinezë kryesojnë listën e ndjekur nga rusët që investuan më shumë se 3.4 miliardë euro, sipas një raporti të Transparency International të vitit 2023, raport që vuri në dyshim nëse autoritetet spanjolle hetuan origjinën e fondeve.

Masa nuk ka gjasa të ndikojë në tregun e pronave pasi më pak se 0.1% e 4.5 milionë shtëpive të shitura gjatë asaj periudhe janë blerë sipas skemës, sipas faqes së internetit të pronave Idealista.

Problemi i strehimit në Spanjë nuk u shkaktua nga skema e vizave të arta, por nga mungesa e ofertës dhe një rritje e kërkesës, tha zëdhënësi i Idealista, Francisco Inareta.

“Masa e shpallur sot, e cila përqendrohet te blerësit ndërkombëtarë në vend që të nxisë shtëpitë e reja të dalin në treg, është një tjetër diagnozë e gabuar,” tha Inareta.

Portugalia fqinje ka rinovuar kohët e fundit skemën e saj të “vizave të arta” dhe ka përjashtuar investimet në pasuri të paluajtshme për të trajtuar krizën e strehimit. Të huajt që duan të sigurojnë të drejtat e qëndrimit mund t’i investojnë ende paratë e tyre në fondet e investimeve.

Komisioni Evropian ka bërë thirrje prej kohësh për t’i dhënë fund programeve të tilla, duke përmendur rreziqet e sigurisë.