Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtari mbylli hetimet për Arbjan Maznikun, apeli pranon kërkesën e Aleancës për Teatrin


Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar pjesërisht këtë të premte kërkesën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për kallëzimin ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Sokol Tona.

Ky gjyqtar pushoi hetimet për zëvendës kryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, me argumentin se nuk ka elemente të veprës penale.

“Sot Kolegji i Gjykatës së Apelit u tregua në lartësinë e ligjit, ka pranuar ankimimin tonë duke e kthyer dosjen pranë organit të PSAK-ut dhe duke detyruar Prokurorinë e Posaçme regjistrimine  këtij procedimi dhe fillimin e hetimeve dhe çështë më e rëndësishme sipas detyrave që do të caktojë Gjykata e Posaçme e Apelit.

Jemi shumë të lumtur sepse u finalizua një pjesë e punës, e betejës sonë ligjore.”– deklaroi Adriana Kalaja, avokatja dhe aktivistja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kishte paditur në SPAK nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku e biznesmenin Shkëlqim Fusha.

Dyshja Mazniku-Fusha akuzoheshin për ‘shpërdorim detyre’ e ‘korrupsion’.

Hetimi kishte të bënte lidhur me një dokument të publikuar në media në vitin 2019, sipas të cilit, biznesmeni Shkëlqim Fusha, kishte autorizuar nënkryetarin e Bashkisë, Mazniku, që të përdorte kartën e tij të kreditit për të paguar qëndrimin në hotelin ‘Alma’ të Barcelonës, në 21 qershor 2019, qëndrim që kushtoi 1816 euro për dy net.