Vendosni fjalën kyçe....

Si ndodhi ngjarja ku u goditën policët me makinë, kush janë të arrestuarit në operacionin antidrogë në Tiranë (Njoftimi)


Pas arrestimit të Eneo Sulejmanit, i cili u arrestua dje teksa po transportonte 1 kg kokainë me makinë, policia arrestoi edhe dy persona të tjerë që ishin në makinë.

Sulejmani rezulton Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës. Ai ishte shoferi i mjetit tip i cili tentoi të shtypte me makinë efektivët e policisë teksa i afruan për t’i arrestuar. 

Sipas informacioneve ‘Antidroga e Tiranës’ i kishte prej disa muajsh vëzhgim dhe në ndjekje. Tre të rinjtë dyshohen si furnizues kokaine.

Ndërkohë Eneo Sulejmani ka tentuar që të largohet dhe ka përplasur makinën e 3 agjentëve të antidrogës, duke u rrezikuar jetën.

Nga hetimet paraprake që ka mundur të kryej Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila mbërriti mbrëmë në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, nuk rezulton që efektivët e policisë të kenë bërë shkelje, për shkak se atyre u është rrezikuar jeta.

Efektivi ka qëlluar më kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme. 

1  plumb i qëlluar ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, ka depërtuar brenda dhe e ka kapur Sulejmanajn në kofshë. 

Sipas informacioneve nga policia tre të arrestuarit dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin drogën tek vendi ku u kapën nga agjentët e antidrogës.

Gjithashtu burime bëjnë me dije se tre të rinjtë, përfshirë këtu edhe Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, do të shkëmbenin drogë në rrugën “Mihal Duri”, aty ku edhe u arrestuan.

Njoftimi

“Tiranë

Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë. 

Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volksëagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien  automjetin e sherbimit të policisë.Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë. 

Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë. Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.”