Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset e lidhura me turizmin pësuan rritjen më të madhe të të ardhurave me 2022


Bizneset qe e kanë të lidhur aktivitetin me sektorin e turizmit panë rritjen më të lartë vjetore te të ardhurave me 2022.

Gjithashtu çmimet e larta të energjisë pas luftës në Ukrainë rritën ndjeshëm të ardhurat për bizneset në sektorin e energjisë, teksa zhvillimet teknologji po ndikojnë për mirë edhe bilancet e bizneseve të fushës.

Të dhënat e INSTAT nga statistikat finale të ndërmarrjeve me 2022 treguan se bizneset me rritjen më të madhe të ardhurave nga shitjet ishin agjencitë e udhëtimit, me mbi 73 % më shumë se 2021.

Të gjitha agjencitë e udhëtimit realizuan 37,5 miliardë lekë të ardhura nga shitjet me 2022 nga 21,6 miliardë lekë që ishin në vitin 2021. Të ardhurat në agjencitë e udhëtimit ishin më të larta më 2022, për shkak edhe të kufizimeve që kishte aktiviteti i tyre gjatë vitit 2021, ku lëvizjet ishin të kushtëzuara ende nga pandemia Covid-19.

Bizneset e sektorit të energjisë rriten të ardhurat nga shitjet me 62.6% më 2022, si rrjedhojë e çmimeve të favorshme në tregjet ndërkombëtare. Bizneset e energjisë realizuan 313,4 miliardë lekë të ardhura nga 192,7 miliardë lekë në vitin 2021. Të ardhurat në këtë sektor po zgjerohen edhe nga rritja e numrit të bizneseve dhe diversifikimit të tyre në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli në parqet fotovoltaike.

Hotelet dhe restorantet renditen gjithashtu në krye të aktiviteteve me rritje të lartë të xhiros më 2022 përkatësisht me 53.3% dhe 47%. Turistet e huaj kanë rritur nevojën për më shumë biznese që operojnë në hoteleri dhe restorante. Hotelet raportuan 32,7 miliardë lekë të ardhura nga shitjet me 2022 nga 21,6 miliardë lekë më 2021. Në vitin 2023 të ardhurat nga njësitë e akomodimit pritet të jenë më të larta për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve te huaj.

Bizneset e shërbimit ushqimor që përfaqësohen nga restorantet xhiruan në total 68,9 miliardë lekë më 2022 nga 46,9 miliardë lekë më 2021 më rritje vjetore 47%.

Shërbimet e informacionit panë rritje te të ardhurave me 42 % më 2022 dhe shërbimet profesionale me 39.% Kjo rritje po nxitet nga zhvillimet ne fushën e teknologjisë, ku shitjet kanë vlerë më të lartë.

Aktivitet e pasurive të paluajtshme që e kanë të lidhur aktivitetin me sektorin e ndërtimit kanë parë rritje të aktivitetit si në numër ndërmarrjesh ashtu edhe në shitje. Xhirot në këto aktivitete u rriten me 36.6% më 2022.

Të ardhurat nga shitjet në të gjithë aktivitet në rang vendi arritën në vitin 2022, në mbi 3,3 triliardë lekë me rritje vjetore 26.7%. Një pjesë e madhe e kësaj rritje është gjeneruar nga çmimet e larta pas luftës në Ukrainë.

Të gjitha aktivitetet ekonomike rezultuan me të rritje te të ardhurave, por sektorët me zgjerimin më të ulët ishin ujësjellësit që janë ndërmarrje publike dhe bizneset e shëndetësisë që patën aktivitet më të ulët pas pandemisë (shiko grafikun e mëposhtëm).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor