Vendosni fjalën kyçe....

Shumica e vendeve s’do kenë norma të mjaftueshme lindjesh për të  ruajtur popullsinë deri në vitin 2100 – Studimi


Në dekadat e ardhshme do shihet një rënie dramatike e numrit të fëmijëve që lindin në shumicën e pjesëve të botës, duke shkaktuar një “ndryshim tronditës shoqëror” në planet.

Rënia e normave të lindshmërisë do jetë aq e thellë sa që mbi tre të katërtat e vendeve nuk do jenë në gjendje të mbajnë numrin e qëndrueshëm të popullsisë deri në vitin 2050. Me fjalë të tjera, popullsia e tyre do bjerë. Deri në fund të shekullit, më shumë se 97 për qind e vendeve dhe territoreve do përballen me këtë problem.

Ky është zbulimi kryesor i një studimi të ri mbi normat globale të fertilitetit – numri mesatar i fëmijëve që lindin nga një grua gjatë jetës së saj – nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Uashingtonit.

Megjithatë, ka të ngjarë të kemi një “botë të ndarë demografikisht”. Ndërsa normat e lindshmërisë parashikohen të bien ndjeshëm në shumicën e pjesëve të botës, do ketë një rritje të normave relativisht të larta të lindshmërisë në shumë vende me të ardhura të ulëta, kryesisht në Afrikën perëndimore dhe lindore nën-Sahariane.

Rreth 77 për qind e lindjeve pritet të ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta deri në fund të shekullit. Për shembull, 29 përqind e foshnjave në botë kanë lindur në Afrikën Sub-Sahariane në vitin 2021, por kjo parashikohet të rritet në mbi 54 përqind të foshnjave deri në vitin 2100.

“Ne po përballemi me ndryshime tronditëse shoqërore gjatë shekullit të 21-të. Bota do trajtojë njëkohësisht një rritje të lartë lindjesh në disa vende dhe një rënie të madhe në vende të tjera,” tha profesor Stein Emil Volset, autor i lartë nga IHME, në një deklaratë dërguar IFLScience.

“Ndërsa pjesa më e madhe e botës përballet me sfidat serioze ndaj rritjes ekonomike ndërkohë që ka një fuqi punëtore në tkurrje dhe si të kujdeset dhe të paguajë për popullsinë e plakur, shumë nga vendet me burime më të kufizuara në Afrikën Sub-Sahariane do përballen me mënyrën se si të mbështesin popullsinë më të re, me rritjen më të shpejtë në planet, në disa nga vendet më të paqëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht, me stres të nxehtësisë dhe me vëstirësi në sistemin shëndetësor. Në dritën e gjetjeve të tyre, studiuesit argumentojnë se ne duhet të fillojmë të planifikojmë për këtë të ardhme tani. Ata besojnë se rënia e normave të lindshmërisë do bëjë që 76 për qind e vendeve të kenë një zvogëlim të madhësisë së popullsisë nëse nuk kompensohet nga emigrimi ose politikat që ofrojnë mbështetje më të madhe për prindërit. “Nuk ka asnjë barmagjik,” shpjegoi autorja bashkëdrejtuese Dr. Natalia V. Bhattacharjee, shkencëtare kryesore kërkimore nga IHME.

“Politikat sociale për të përmirësuar normat e lindjeve, të tilla si leja prindërore e shtuar, kujdesi falas për fëmijët, rritjet  financiarë dhe të drejtat shtesë të punësimit, mund të ofrojnë një nxitje të vogël në normat e lindshmërisë, por shumica e vendeve do mbeten nën nivelet e zëvendësimit të popullatës. Dhe sapo popullsia e pothuajse çdo vendi të zvogëlohet, mbështetja në emigracionin e hapur do bëhet e nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike. Vendet e Afrikës Sub-Sahariane kanë një burim jetik që shoqëritë në plakje po e humbasin, një popullsi rinore,” shtoi ajo.

Ndryshimet në normat e lindshmërisë janë të nxitura kryesisht nga dy forca: qasja në kontraceptivë modernë dhe arsimimi i femrave. Kur përballemi me sfidat përpara, studiuesit besojnë se nuk duhet të harrojmë përparimin që bota ka bërë në drejtim të fuqizimit të grave.

“Ekziston një shqetësim shumë i vërtetë se, përballë rënies së popullsisë dhe mungesës së zgjidhjeve të qarta, disa vende mund të justifikojnë më shumë masa drakoniane që kufizojnë të drejtat riprodhuese,” vazhdoi Bhattacharjee.

“Është e vërtetuar se kombet me të drejta të forta të grave kanë më shumë gjasa të kanë rezultate më të mira shëndetësore dhe rritje më të shpejtë ekonomike. Është e domosdoshme që të drejtat e grave të nxiten dhe mbrohen dhe që gratë të mbështeten për të pasur numrin e fëmijëve që dëshirojnë dhe për të ndjekur karrierën e tyre.”

Studimi është publikuar në revistën The Lancet.