Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja thuhet se mund të shqyrtojë një marrëveshje për lirimin e Julian Assange


Qeveria amerikane raportohet se po shqyrton një ofertë për pranimin e fajësisë për Julian Assange, duke e lejuar atë të pranojë një keqbërje, në këmbim tëheqjes së akuzave të rënda, por avokatët e tij thonë se atyre nuk u është dhënë “asnjë e dhënë ” se Uashingtoni synon të ndryshojë qasjen e tij.

Wall Street Journal raportoi të mërkurën se Departamenti i Drejtësisë në SHBA po kërkonte mënyra për të shkurtuar betejën e gjatë gjyqësore në Londër të themeluesit të WikiLeaks kundër ekstradimit në SHBA me akuzat për spiunazh lidhur me publikimin 14 vjet më parë të mijëra dokumenteve të fshehta amerikane në lidhje me luftërat në Afganistan dhe Irak.

Raporti thoshte se një plan në shqyrtim do ishte heqja e 18 akuzave të tanishme sipas Aktit të Spiunazhit, nëse Assange pranon fajësinë për keqpërdorimin e dokumenteve të fshehta.

Assange do jetë në gjendje të miratojë pranimin e fajësisë nga Londra dhe ka të ngjarë të jetë i lirë shpejt pasi të jetë rënë dakord marrëveshja, pasi ai ka kaluar tashmë pesë vjet në paraburgim në Britani.

Megjithatë, ekipi ligjor i Assange tha se ata nuk ishin në dijeni të ndonjë ndryshimi në strategjinë e prokurorisë.

Një nga avokatët mbrojtës të Assange, Barry Pollack, tha në një deklaratë: “Është e papërshtatshme që avokatët e Assange të komentojnë ndërsa çështja e tij është para gjykatës së lartë në Mbretërinë e Bashkuar, përveçse të thonë se nuk na është dhënë asnjë e dhënë që Departamenti i Drejtësisë synon të zgjidhë çështjen dhe Shtetet e Bashkuara po vijojnë me po aq vendosmëri sa kurrë më  parë për të kërkuar ekstradimin e tij për të gjitha 18 akuzat, duke e ekspozuar atë ndaj një dënimi me 175 vjet burg.”

Gjykata e Lartë pritet të vendosë në javët e ardhshme nëse do t’i japë Assange një të drejtë të mëtejshme për të apeluar ekstradimin e tij. Assange, i cili po mbahet në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh, u tha se ishte shumë i sëmurë për të shkuar në Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë për të marrë pjesë në seancën më të fundit atje muajin e kaluar.

Nëse dy gjyqtarët vendosin kundër tij, ai do ketë ezauruar të gjitha mundëësitë në Mbretërinë e Bashkuar për të kundërshtuar ekstradimin dhe e vetmja rrugë e hapur për të do ishte Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila mund të urdhërojë Britaninë të mos vazhdojë me ekstradimin derisa gjykata të ketë shqyrtuar rastin. Nëse kjo dështon, Assange mund të dërgohet në SHBA brenda pak ditësh.

Ekstradimi i Assange do ishte politikisht i vështirë për administratën Biden, veçanërisht në një vit zgjedhor. Administrata e mëparshme demokrate, nën Barack Obama-n, përfundimisht vendosi të mos e akuzonte Assange për shkak të frikës se një veprim i tillë do shkelte të drejtat e Amendamentit të Parë që garanton lirinë e shtypit.

Në vitin 2019, administrata Trump vijoi me akuzat në bazë të Aktit të Spiunazhit të vitit 1917, duke kërkuar të bënte dallim mes gazetarisë konvencionale dhe veprimeve të Assange, i cili siguroi një platformë për publikimin e dokumenteve sekrete të zbuluara dhe për të cilat prokurorët pretendojnë se ai e dinte se do vinte në rrezik jetët e shumë njerëzve e punonjëse.

Në një seancë dëgjimore mbi lejen e Assange për të apeluar në shkurt, avokatët e tij mbrojtës argumentuan se ai mund të shënjestrohej nga agjencitë shtetërore amerikane përmes “sulmeve jashtëligjore” nëse ekstradohej, veçanërisht duke pasur parasysh “mundësinë tashmë të vërtetë të një kthimi të administratës Trump në pushtet”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani