Vendosni fjalën kyçe....

Basha organizon “Harku opozitar euro-atlantik”, merr pjesë Topi: Berisha-Rama shkelmuan Kushtetutën


Ish-presidenti Bamir Topi tha sot se marrëveshja Berisha-Rama e vitit 2008 shpërtheu themelet e Kushtetutës.

Ai e bëri deklaratën në takimin e orgaizuar nga kreu i PD-së Basha me temë “Harku  Opozitar Euro-Atlantik”.

Topi tha se nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe se vendi duhet të ketë zgjedhje të lira e të ndershme për të zgjedhur ata që do e drejtojnë.

Ish-kreu i shtetit tha gjithashtu se partitë politike janë sot si kazerma ku kryetarët përcaktojnë listat e deputetëve.

“E pranova me kënaqësi ftesën e Bashës. Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryeze, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët, e rrënimit të themeleve të shtetit nga pozicioni i kreut të shtetit në 2008. Është detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit. Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijuan komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë. Pas komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit dhe prishi balancat institucionale. Sot kemi partitë politike të protagonistëve që sot konsiderohen si kazerma. Listat e deputetëve vijnë me firmën e kryetarit, kuvendi uli ndjeshëm cilësinë e tij në përfaqësim dhe rolin e tij. Ka rënë në thundrën e kryeministrit.” – tha Topi.