Vendosni fjalën kyçe....

Hije skandali financiar mbi bashkëshorten e Guvernatorit Sejko


Guvernatori, Gent Sejko, akuzohet se është në krye të një skeme të ndërlikuar mashtrimi me institucionet e mikrokredive, ku viktima kanë rënë me mijëra qytetarë shqiptarë, që për një kredi konsumatore kanë humbur deri edhe shtëpitë e tyre.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Prapaskena, guvernatori Gent Sejko kontrollon skemën përmes bashkëshortes së tij, Elona Sejko, drejtore e Tirana Bank.

Në dokumente, Elona Sejko del me lidhje me Elda Ibron, që është aksionere e Micro Credit Albania, institucion mikrofinanciar që Banka e Shqipërisë i ka pezulluar licencën deri në qershor të këtij viti.
Dokumentet tregojnë një lidhje të hershme mes bashkëshortes së guvernatorit sejko dhe aksioneres së Micro Credit Albania.

Më 26 tetor të vitit 2018-të, si përfaqësuese e Bankës së Tiranës, Elona Sejko firmos një marrëveshje me Elda Ibron, sipas të cilës Banka e Tiranës i kalon Micro Credit Albania një portofol prej 5 mijë kredish të pashlyera.
Sipas denoncimit, guvernatori ka ndërhyrë edhe në banka dhe institucione të tjera financiare në vend që të shisnin kreditë e këqija te Micro Credit Albania. Dyshohet se me mijëra kredi të pashlyera i janë kaluar MCA-së së Elda dhe Olsi Ibros jo vetëm nga bankat, por edhe nga institcione të tjera të mikrokredisë, si Iute Credit Albania dhe Credo.al.

Në denoncimin në fjalë ngrihen dyshime se guvernatori Sejko dhe bashkëshortja e tij janë nismëtarët e themelimit dhe licencimit të kompanive të tjera që pasi marrin licencat nga Banka e Shqipërisë, përfshihen në skemën e zhvatjes së qytetarëve.

Pezullimi i licencës për Micro Credit Albania nga ana e Bankës së Shqipërisë deri në qershor të këtij viti është indicia e parë që ngre dyshime për një skemë të mirëfilltë mashtrimi.


Indicia e dytë është largimi i Elda Ibros dhe Olsi Ibros, pronarët e kësaj kompanie jashtë vendit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë mbyllje e aktivitetit të mashtrimit.

Sipas denoncimit të Prapaskenës, Banka e Shqipërisë ka licencuar së fundmi një kompani të re, me emrin New Collections dhe ngre dyshime se kësaj kompanie do t’i kalojë portofoli me 100 mijë shqiptarë hallexhinj e borxhlinj.

VINI RE: Ky material është pronwsi intelektuale e Vox news