Vendosni fjalën kyçe....

Paktet sterile të Lulzim Bashës


Nga Indrit Vokshi

Dua ta sqaroj qysh në fillim se jam pro ndryshimit të skenës politike, jam pro personave të rinj, jam pro ndryshimit të mënyrës se si bëhet dhe zhvillohet politika në Shqipëri. Jam pro një realiteti të ri politik, ekonomik dhe institucional.

Mirëpo kur ska politikanë të rinj, pa dyshim që marrëveshjet politike do të lidhen midis politikanëve ekzistues të cilët janë të njejtët në të paktën 20 vjetët e fundit.

Në ketë kuptim në Shqipëri nuk ka një pakt 33 vjeçar por ka disa pakte ose, ka pakte të herëpashershme midis politikanëve kryesorë. Këta do i bëjnë paktet, ku t’i marrim të tjerët

Pakti në vetvete nuk është veprim negativ pasi republika ndërtohet mbi pakte. Por nuk ka dalë askush i ri i cili të ketë valencë politike, të tërheqë vëmendje dhe të posedojë aq fuqi sa për të ndikuar në një pakt të ri.

Në Shqipëri po veprojnë disa të rinj si Adriatik Lapaj, Arlind Qori dhe Endri Shabani por këto lëvizje deri më sot nuk kanë aq fuqi sa për t’i ulur këta politikanë të rinj në Tryezën e Republikës dhe për tiu mundësuar atyre të ndikojnë në një pakt i cili të transformojë shtetin dhe politikën.

Nuk ka politikanë të tjerë të rinj. Ata që pretendojnë se e reja është Lulzim Basha e kanë shumë gabim ose janë viktima të një manipulimi me PiAr.

Duhet të thërrasin memorien në ndihmë dhe të kuptojnë se Basha në vitin 2024 mbush fiks 20 vjet në politikë. Ka 5 mandate deputet, 3 herë ministër, 1 herë kryebashkiak.

Duhet të kujtohen se Basha ka bërë pakte me Edi Ramën, si pakt pasiv duke ikur nga tryeza e Reformës Territoriale në vitin 2014, si pakt aktiv në vitin 2017. Të dy paktet kanë qenë pakte katastrofë për opozitarizmin.

Basha është veç një Sali i pathinjur, veç një Edvin pa mjekër, veç një Ilir Metë më i gjatë se Meta. Basha përjashtoi nga partia një deputet vetëm pse ai i publikoi 2 kate të rrethit familjar të Bashës në kullën e një oligarku, kate me vlerë diku 4 milion euro, këto në një ndërtesë të vetme.

Basha pati mundësinë e fundit për të qenë “e reja” në vitin 2023, mirëpo sapo mori lapsin në dorë në korrik 2023, menjëherë pa humbur kohë ai na vërtetoi se nuk ka interes për frymë të re, për mentalitet të ri dhe për politikë mbi disa principe të reja.

Ai manipuloi zgjedhjet brenda partisë, përvetësoi partinë duke e konceptuar si një biznes Sh.P.K familjare dhe jo si parti politike publike. Pra nuk mbart asnjë frymë të re politike përveç frymës “politika si biznes.”

Prandaj po, ka pakte midis aktorëve 20 apo 30 vjeçarë në politikë sepse nuk po del askush të spikasë fuqimisht. Nëse shoqëria shqiptare dëshiron pakte të reja, duhet të investojë tek politikanë të rinj me mendësi të re. Përderisa kjo nuk po ndodh, paktet do të lidhen nga më të fortët.