Vendosni fjalën kyçe....

Ish-shefi i CIA-s: Për të mposhtur Hamasin, Izraeli duhet të bëjë që Gaza të funksionojë sërish


Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus tha të enjten se nëse Izraeli do që të mundë Hamasin, jo vetëm që duhet të ndajë batalionet e tij të mbetura në Rafah, por gjithashtu duhet të bëjë që Gaza të rikthehet sërish në funksion për civilët palestinezë.

Duke folur në Konferencën INSS në Tel Aviv, Petraeus tha: “Vetëm duke e bërë Gazën të funksionojë përsëri për civilët palestinezë, qoftë në shpërndarje të qëndrueshme të ushqimit, me spitale që funksionojnë siç duhet dhe përfundimisht me një rikthim të përgjithshëm të shoqërisë civile, Izraeli do të jetë vërtet në gjendje të t’i japë fund burimit të mbështetjes së Hamasit.”

Ish-shefi i CIA-s tha se Izraeli nuk mund “të ndalet derisa Hamasi të jetë shkatërruar dhe nuk mund të ringrihet”.

Përveç kësaj, ai tha se Izraeli duhet t’i kthejë banorët e Gazës në shtëpitë e tyre, t’u demonstrojë njerëzve se ndihma po jepet në mënyrë të qëndrueshme, “se spitalet po funksionojnë, se ndërtimet do të kthehen” dhe se shoqëria do të kthehet në funksionim të plotë.

Nxitje e një zgjidhjeje me dy shtete

Megjithë mbështetjen e tij për shkatërrimin e plotë të Hamasit, ai tha se Izraeli përfundimisht duhet të pajtohet me një zgjidhje me dy shtete me palestinezët.

Petraeus tha se megjithëse zgjidhja me dy shtete ka probleme të mëdha, ajo është ende mënyra e vetme e qëndrueshme për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit izraelito-palestinez.

Më tej, ai tha se normalizimi saudit nuk do të ndodhë derisa Izraeli të pajtohet me këtë.

Lidhur me Iranin, Petraeus tha se politika e vitit zgjedhor po e pengon SHBA-në të përballet me sanksione më të ashpra.