Vendosni fjalën kyçe....

Krisen marrëdhëniet?! – “Qëndrim më agresiv ndaj Rusisë” – Çfarë paralajmëroi deputeti izraelit


Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, tha se vendi i tij “po punonte për t’i siguruar Ukrainës sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve ajrore” në një fjalim të mërkurën.

Sisteme të tilla do ndihmonin “të shpëtonin jetën e civilëve nga sulmet pa kriter të raketave dhe dronëve të Rusisë”, tha Erdan.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Izraelit i tha Business Insider se sistemi nuk ishte “Iron Dome”, sistemi më i përparuar i mbrojtjes ajrore të Izraelit.

Përkundrazi, do ishte një “sistem alarmi” që do ndihmonte “të futeshin njerëzit në strehimore”. Ka të ngjarë të jetë shumë i ngjashëm me sistemin e radarit Tzeva Adom të Izraelit, tha zëdhënësi për BI.

 

“Kodi i Kuq” i Izraelit

Tzeva Adom, që do të thotë “Kodi i Kuq” në hebraisht, është një sistem radar i paralajmërimit të hershëm.

I instaluar fillimisht nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit në qytetet përreth Rripit të Gazës në fund të viteve 1990, sistemi tani mbulon të gjithë Izraelin.

Me zbulimin e një lëshimi rakete, sistemi i paralajmërimit të transmetimit publik në komunitetet dhe bazat ushtarake izraelite aty pranë aktivizohet automatikisht. Një zë femëror i regjistruar paraprakisht shpall “Tzeva Adom” katër herë. Ky cikël transmetimi vazhdon derisa të mos zbulohen lëshime të tjera.

Alarmet janë gjithashtu të disponueshme përmes një aplikacioni në pajisjet iOS dhe Android që nga viti 2014.

Izraeli është një nga liderët botërorë në sistemet e zbulimit të paralajmërimit të hershëm.

Përdorimi i sistemit në Ukrainë ka të ngjarë të nënkuptojë se Izraelit do t’i duhet të dërgojë ushtarë specialistë për të ndihmuar ukrainasit që ta integrojnë atë.

Zëdhënësi izraelit nuk ishte në gjendje të konfirmonte se kur do ndodhte kjo, por tha se sistemi, dhe ata si ai, do u japin ukrainasve më shumë kohë për të kaluar në objekte të sigurta, siç janë bunkerët civilë, të cilët tashmë janë bërë të zakonshëm në Ukrainë.

Sistemi anti-raketë i Iron Dome i Izraelit kap raketat e lëshuara nga Rripi i Gazës, siç shihet nga qyteti i Ashkelon, Izrael, 9 tetor 2023

Goditje për marrëdhëniet Izrael-Rusi

Për dy vitet e fundit, Izraeli ka ecur mbi ‘një litar tejet të hollë diplomatik’ në luftën Rusi-Ukrainë.

Gjatë pushtimit fillestar, Izraeli ofroi “më shumë se 100 ton pajisje humanitare”, siç tha Erdan në fjalimin e tij në OKB.

Një spital fushor brenda kufirit të Ukrainës “trajtoi mbi 7000 të plagosur” dhe “qindra pacientë ukrainas morën kujdesin më të mirë të mundshëm” në spitale dhe qendra rehabilitimi në të gjithë Izraelin.

Por Izraeli ka ndaluar vazhdimisht dërgimin e ndihmës ushtarake apo bashkimin me sanksionet perëndimore pjesërisht sepse nuk donte të provokonte Rusinë. Rusia ka qenë prej kohësh një mbështetëse e Iranit, Hezbollahut dhe Presidentit Bashar al-Assad në Siri.

Ndërkohë, Teherani gjithashtu i ka ofruar Rusisë drone Shahed të prodhuar nga Irani, të cilët janë përdorur për të bombarduar qytetet në Ukrainë.

Ndërsa masa e Izraelit nuk ka gjasa të ndryshojë në mënyrë dramatike valën e luftës për Ukrainën, sinjalizon një kthesë të madhe në politikën e jashtme izraelite.

Erdan iu referua Ukrainës si “aleatët” dhe “miqtë në nevojë” të Izraelit.

Të dy vendet “po luftojnë një betejë për mbijetesë”, tha ai, duke shtuar se “shteti i Izraelit ka qenë gjithmonë dhe do vazhdojë të mbetet i përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Njoftimi izraelit megjithatë nuk doli nga hiçi, tha për Bussines Insider Amir Weitmann, kreu i grupit libertarian në Partinë Likud në pushtet të Izraelit.

Njoftimi erdhi pasi Rusia pret një takim ndërpalestinez në Moskë këtë fundjavë. Përfaqësuesit e Hamasit dhe Xhihadit Islamik do mirëpriten në kryeqytetin rus për të ndihmuar forcat e ndryshme palestineze të bien dakord të bashkohen politikisht, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov, për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.

 

Nuk ka dyshim se “Rusia është e përfshirë shumë në atë që po ndodh në Izrael”, tha Weitmann, duke iu referuar luftës së vazhdueshme në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit që ka vrarë dhjetëra mijëra palestinezë të pafajshëm. Megjithatë, nuk është e qartë “në çfarë niveli,” tha ai.

Aktualisht, Izraeli “nuk ka kapacitet” për të ofruar sisteme armësh për vendet e tjera, veçanërisht nëse do hynte në një luftë me Hezbollahun, i cili krenohet me një rezervë deri në 150,000 raketash. Megjithatë, ky ishte “vetëm fillimi” i angazhimit të Izraelit ndaj Ukrainës, tha politikani.

“Izraeli do mbajë një qëndrim më agresiv kundër Rusisë” tani e tutje, tha ai, duke shtuar se nëse lufta në Ukrainë nuk ka përfunduar deri në kohën kur Izraeli të ketë zgjidhur problemin e tij me Hamasin, armët izraelite do e gjenin rrugën e tyre për në Ukrainë”.

Një intervistë e Weitmann në rrjetin televiziv të mbështetur nga shteti rus Russia Today u bë virale në fund të vitit të kaluar, teksa ai deklaroi se “Rusia do paguajë çmimin” për “mbështetje të armiqve të Izraelit”.

“Ne do të sigurohemi që Ukraina të fitojë,” tha ai më pas në RT.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Business Insider

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani