Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Posaçme dënon Fredi Belerin me 2 vite burg


Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Belerin, për korrupsion aktiv në zgjedhjet lokale të 2023-shit. Ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1.6 vite burg që i konvertohet në shërbim prove.

Gjithashtu GJKKO urdhëroi konfiskimin e celularëve të të pandehurve dhe kartëmonedhat.

Sot në një fjalim 9 faqesh Beleri anatemoi si prokurorinë dhe policinë për sajim të provave kundër tij, ashtu edhe trupën gjykuese që sipas tij nuk ka pranuar kërkesat e Belerit dhe ka treguar njëanshmeri në gjykim.

Beleri tha sot para togave të zeza se çështjen e bashkisë së Himarës nuk duan ta zgjedhin me votë, por me sajesë.

“E kuptoj shumë mirë që jeni nën presion të vazhdueshëm, por ky nuk është faji im. Është çështjen e bashkisë Himarë, që nuk duan ta zgjedhin me votë, por me sajesa. Konkluzionet e SPAK nuk mund t’i merrni parasysh. U përdorën thëniet e një dëshmitari i dënuar për mashtrim. Kjo çështja ka qenë dhe është politike. U shkel prezumimi i pafajësisë. Nuk ka pasur një proces të rregullt gjyqësor. U ndodha para një diskriminimi.

Qëllimi i arrestimit dhe mbajtja në burg, është që Rama të mbajë zgjedhje të reja në Himarë. Herët ose vonë do ta gjej drejtësinë. Gjyqtarë sot duhet t’i thoni jo naciononalizmit të sëmurë.”, tha Beleri.

Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.

Seanca gjyqësore u ndoq me vëmendje nga ambasada greke edhe nga mediat fqinje. Grupet e xhirimit të 4 medieve greke u ndodhën në GJKKO duke ndjekur nga afër seancën. Ndërkohë ndryshe nga herët e tjera kur ka preferuar të jetë vetë e pranishme ambasadorja greke, sot dërgoi një përfaqësues. I pranishëm është edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.