Vendosni fjalën kyçe....

“Kau nuk bëhet mbret duke hyrë në pallat, por pallati bëhet stallë”- Gazetarja turke arrestohet pas proverbit që u pa si fyerje ndaj Erdoganit


Një gjykatë turke ka ndaluar gazetaren e njohur Sedef Kabas për fyerje ndaj presidentit të vendit, Rexhep Tajip Erdogan.

Zonja Kabas u arrestua të shtunën në Stamboll dhe gjykata vendosi ta linte atë në “arrest me burg” në pritje të gjykimit.

Siç shkruan BBC, ajo akuzohet se ka vënë në shënjestër presidentin Erdogan ndërsa citonte një proverb në një kanal televiziv të lidhur me opozitën. Ajo e mohon akuzën.

Akuza parashikon një dënim me burg nga një deri në katër vjet.

“Ka një fjalë të urtë shumë të famshme që thotë se një kokë e kurorëzuar bëhet më e mençur. Por ne e shohim se nuk është e vërtetë.”- tha ajo në kanalin Tele1. “Një ka (dem) nuk bëhet mbret vetëm duke hyrë në pallat, por pallati bëhet një stallë.”

Ajo e postoi më vonë citimin edhe në “Twitter”.

Kryezëdhënësi i Erdoganit, Fahrettin Altun i përshkroi komentet e saj si “të papërgjegjshme”.

“Një e ashtuquajtur gazetare po fyen hapur presidentin tonë në një kanal televiziv që nuk ka qëllim tjetër përveç përhapjes së urrejtjes.”- shkroi ai në “Twitter”.

Në deklaratën e saj në gjykatë, zonja Kabas mohoi se kishte synim të fyente presidentin. Redaktori i kanalit “Tele1” Merdan Yanardag kritikoi arrestimin e zonjës Kabas.

“Ndalimi i saj brenda natës në orën 2 të mëngjesit për shkak të një proverbi është i papranueshëm.”– tha ai. “Ky qëndrim është një përpjekje për të frikësuar gazetarët, mediat dhe shoqërinë”.