Vendosni fjalën kyçe....

Të përgatisim sistemin shëndetësor për kriza të mundshme – Ministri gjerman


Gjermania duhet të përmirësojë sistemin e saj të kujdesit shëndetësor për të qenë në gjendje t’i përgjigjet me shpejtësi gjendjeve të krizës, siç është një pandemi e re ose një konflikt ushtarak, tha ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach.

Legjislacioni për reformat që pritet të paraqitet këtë verë do jetë “një pikë kthese për sistemin e kujdesit shëndetësor”, tha politikani i Partisë Social Demokratike (SPD) për gazetën “Neue Osnabrucker Zeitung” në një intervistë të botuar të shtunën.

Megjithëse koalicioni në pushtet ka shtyrë tashmë reformat pas pandemisë Covid-19, ministri i Shëndetësisë tha se me konfliktin në Ukrainë, sfidat janë bërë edhe më të rëndësishme.

“Në rast krize, çdo mjek, çdo spital, çdo autoritet shëndetësor duhet të dijë se çfarë të bëjë. Ne kemi nevojë për përgjegjësi të qarta. Për shembull, për shpërndarjen e një numri të madh të personave të lënduar midis klinikave në Gjermani,” shpjegoi Lauterbach.

Ministri tha se spitalet duhet të kryejnë gjithashtu stërvitje për të praktikuar përgjigjen e tyre ndaj fatkeqësive, duke hedhur poshtë akuzat për frikësim.

“Do të ishte marrëzi të thuash se nuk po përgatitemi për një konflikt ushtarak dhe më pas ai nuk do të vijë. Sipas kësaj logjike, nuk do të kishte nevojë për ushtri.” – tha ai.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi nëntorin e kaluar se vendi duhet të bëhet “i aftë për luftë” dhe këmbënguli përsëri në janar se Berlini dhe e gjithë NATO-ja duhet të armatosen në mënyrë më aktive për të qenë të gatshëm për çdo rast.

Muajin e kaluar, Gjenerali Carsten Breuer bëri thirrje për një “ndryshim në mendësi” në shoqërinë gjermane, duke këmbëngulur se kombi duhet të ndërtojë “parandalim” të besueshëm për t’u përgatitur për një luftë të mundshme brenda pesë viteve.