Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët polakë protestë në kufirin me Lituaninë kundër drithit ukrainas


Fermerët polakë kanë nisur një protestë njëjavore përgjatë kufirit me Lituaninë kundër importit të drithit ukrainas, thanë autoritetet në Vilnius.

Punëtorët e bujqësisë kanë bllokuar pikat e kontrollit në kufirin ukrainas për muaj të tërë në një përpjekje për të parandaluar dërgesat e produkteve të lira që të arrijnë në tregjet e tyre.

Protesta në pikën e kontrollit Budzisko-Kalvarija në kufirin polako-lituanez ka nisur të premten, njoftoi administrata e bashkisë Kalvarija me një postim në Facebook.

Punëtorët polakë të bujqësisë kanë protestuar kundër importeve të grurit ukrainas që nga vjeshta. Ata pretendojnë se prodhuesit bujqësorë nga vendi fqinj kanë një avantazh të padrejtë, duke qenë se nuk duhet të respektojnë rregulloret e BE-së apo të paguajnë taksat e bllokut.

Fermerët kanë bllokuar kamionët nga Ukraina të hyjnë në Poloni, por ata po përdorin “një formë të re proteste” në kufirin e Lituanisë, thanë autoritetet e Kalvarija.

“Qëllimi i masës nuk është të paralizojë një arterie të rëndësishme transporti ose të dëmtojë qëllimisht bizneset”, por të tërheqë vëmendjen ndaj çështjes së tranzitit të drithit nga Ukraina dhe vende të tjera jashtë BE-së përmes Lituanisë”, shpjeguan ata.

Organizatori i protestës, Karol Pieczynski, tha për LTR, se nuk do ketë “bllokadë të plotë” të kufirit me Lituaninë. Ajo që fermerët synojnë të bëjnë është të inspektojnë kamionët që hyjnë në Poloni së bashku me rojet kufitare të vendit për të kontrolluar nëse po mbajnë drithë, tha ai.

Pieczynski pohoi se jo vetëm gruri ukrainas, por edhe rus dhe bjellorus ka hyrë në Poloni përmes territorit lituanez.

Organizatori i protestës foli për të ashtuquajturin “karusel drithi”, i cili tha ai përdoret nga furnitorët për të anashkaluar ndalimet e drithit ukrainas të vendosura nga Polonia, Hungaria dhe Sllovakia.

Kamionët me grurë nga Ukraina kalojnë tranzit përmes territorit polak në Lituani, gjë që lejohet sipas kushteve të embargos.

Ata më pas kthehen në Poloni nga shteti baltik, por marrin dokumente të reja në kufi, sipas të cilave drithërat që transportojnë bëhet ngarkesë e BE-së që nuk i nënshtrohet më kufizimeve, theksoi Pieczynski.