Vendosni fjalën kyçe....

Macron zotohet të notojë në lumin Senë të Parisit


Presidenti francez Emmanuel Macron është zotuar të bëjë një not në lumin Senë në një përpjekje të dukshme për të provuar se është i pastër përpara Olimpiadës. Kryeqyteti francez do presë lojërat nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024.

Macron e bëri zotimin pa dhënë një datë të saktë, pasi ai zyrtarisht përuroi fshatin olimpik, që do presë rreth 14,500 atletë dhe stafet përkatëse përpara se të mirëpresë Lojërat Paralimpike këtë verë.

Parisi ka punuar në një projekt për të pastruar Senën për ta bërë atë të notueshëm për herë të parë në një shekull. Gjatë Olimpiadës së Parisit 1900, gara të shumta noti u zhvilluan në lumë. Megjithatë, që nga viti 1923, kjo praktikë është ndaluar për shkak të niveleve të larta të ndotjes së ujit.

“Vë bast se do ta bëj”, tha Macron kur u sfidua nga një gazetar nëse do zhytej në Senë.

“Unë do ta bëj, por nuk do ua jap datën,” tha ai me shaka.

Plani 1.4 miliardë euro për lumin përfshin një rinovim të infrastrukturës, duke përfshirë tubacione të reja nëntokësore dhe pompa për të parandaluar hyrjen e mikrobeve në ujë.

Specialistët e cilësisë së ujit kanë marrë rregullisht mostra dhe thonë se nivelet e përqendrimit për dy bakteret, Enterococcus dhe E.coli, të dyja të përdorura si tregues kryesorë të materialit fekal në ujërat e freskëta, ishin mjaft të ulëta.

Rreziku kryesor vjen nga stuhitë e dendura të shiut, kur uji derdhet në sistemin e ujërave të zeza pariziane, duke shkaktuar rrezik për tejmbushje. Shiu i tepërt më pas derdhet në lumë dhe mund të çojë në ndotje. Verën e kaluar një rrjedhje e ujërave të zeza çoi në anulimin e një gare noti paraolimpike.

Parisi shpreson të korrë përfitime përtej Lojërave Olimpike, me fshatin e planifikuar të shndërrohet në një zonë miqësore me mjedisin me shkolla, një hotel, një park publik, dyqane dhe zyra.

Parisienët do kenë gjithashtu qasje në 26 pishina të reja në Senë, të rrethuara nga trafiku i rëndë i anijeve, që pritet të hapen publikisht deri në vitin 2025, katër prej tyre në qendër të qytetit. Vitet e fundit, qytete të tjera evropiane, si Cyrihu, Mynihu, Vjena dhe Kopenhagën, kanë hapur notin urban në lumenjtë e qyteteve.