Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu: Komunitetet izraelite në kufi me Gazën do të rehabilitohen


Zyrtarët izraelitë, megjithëse vazhdojnë të refuzojnë një armëpushim pa lirimin e pengjeve, kanë njoftuar se ofensiva intensive ushtarake në pjesën veriore të Gazës ka përfunduar dhe së shpejti do të ulet edhe intensiteti i operacioneve ushtarake në pjesën jugore. Kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi gjithashtu se lagjet izraelite në kufi me Gazën do të rindërtohen për të kthyer dhjetëra mijëra izraelitë në shtëpitë e tyre që u evakuuan pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të martën se vendi i tij është “i vendosur të rehabilitojë komunitetet “ në zonën përreth Rripit të Gazës.

“Për këtë qëllim, ne duhet para së gjithash të arrijmë fitoren ndaj Hamasit”, tha Kryeministri Netanyahu gjatë një takimi me krerët e komuniteteve të kësaj zone.

Izraeli ka evakuuar dhjetëra mijëra njerëz nga komunitetet në jug pasi militantët e Hamasit kryen sulmin terrorist të 7 tetorit gjatë të cilit vranë 1200 persona, kryesisht civilë dhe morën peng 240 të tjerë.

Megjithë trysninë në rritje ndërkombëtare, Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant përjashtoi të hënën mundësinë e një armëpushimi, duke thënë se Hamasi nuk do të pranonte të lironte pengjet që po mban pa trysni ushtarake.

“E kemi bërë të qartë se faza intensive e operacionit tokësor do të zgjasë rreth tre muaj. Në veri të Gazës, kjo fazë ka përfunduar. Në jug do ta të përfundojmë së shpejti dhe në të dyja zonat do të vijë momenti që të kalojmë në fazën tjetër”, thotë Ministri Gallant.

Megjithatë luftimet intensive kanë vazhduar me shpërthime që janë dëgjuar edhe të martën, mbi 100 ditë që kur filloi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.

Ushtria izraelite vazhdon të publikojë përditë pamje filmike të forcave të saj dhe njoftoi se kanë zbuluar mbi 100 pika prej nga Hamasi lëshon raketat drejt Izraelit.

Tre muaj më vonë, ofensiva izraelite, sipas të dhënave të Hamasit, ka vrarë mbi 24,000 palestinezë, megjithëse shifrat që japin autoritetet e grupit militant nuk bëjnë dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve islamikë të vrarë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres përsëriti thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se është e nevojshme të dërgohen urgjentisht ndihma për palestinezët, të lirohen pengjet e mbajtura nga Hamasi dhe të ndalohet përhapja e luftës në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Situata humanitare në Gazë është tejet e rëndë. Askush dhe asnjë vend nuk janë të sigurtë”, tha zoti Guterres.

Palestinezët e zhvendosur, përpos nevojave për më shumë ushqime, kanë nevojë kritike edhe për të rimbushin bateritë e telefonave të tyre.

Në Gazën e kohës së luftës, një telefon që funksionon shërben për të marrë vesh nëse anëtarët e familjes janë gjallë pas bombardimeve, ndihmon për të gjetur ushqim dhe ujë.

Shumica e popullsisë palestineze është zhvendosur dhe mungesat e mëdha të ushqimit, ujit, energjisë elektrike dhe ilaçeve kanë rezultuar në një katastrofë humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara, shkruan VOA.