Vendosni fjalën kyçe....

Biden me strategji të re, e tall Trump-in për moshën


Presidenti amerikan Biden po përdor një mënyrë të re sulmi ndaj kundërshtarit të tij Donald Trump, duke u tallur me moshën e tij.

Biden po përpiqet të kthejë sondazhet në avantazhin e tij teksa nga zgjedhjet kanë ngelur më pak se nëntë mua, me Trump-in që i ka mposhtur të gjithë kundërshtarët e tij republikanë dhe marshon drejt zgjedhjeve me një mbështetje në rritje.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikëve që thonë se mosha e tij është problem në zgjedhjet e ardhshme, 81-vjeçari Biden i tha gazetarit Seth Meyers: “Duhet t’i hedhësh një sy djalit tjetër”, duke iu referuar Trump-it 77-vjeçar.

“Ai është po aq i vjetër sa unë, por nuk e mban mend emrin e gruas së tij”, tha ai me shaka, në një referencë të dukshme ndaj një episodi gjatë fundjavës, ku ish-presidenti gabimisht e quajti gruan e tij Melania “Mercedes” gjatë komenteve në CPAC.

Gjatë intervistës në NBC “Late Night”, Biden tha se votuesit nuk duhet të marrin në konsideratë vetëm sa vjeç është një kandidat, por “sa të vjetra janë idetë e tyre”.

“Shiko, dua të them, ky është një djalë që dëshiron të na kthejë prapa”, tha Biden për Trump-in.

“Ai dëshiron të na kthejë në ndalimin kombëtar të abortit, ai dëshiron të na kthejë në një gamë të tërë çështjesh që për 50, 60 vjet, kanë qenë pozicione të forta amerikane.”

Intervista e regjistruar paraprakisht me Meyers u zhvillua menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden do vizitonte kufirin Teksas-Meksikë të enjten, në të njëjtën ditë që Trump planifikon të shkojë në Eagle Pass, Teksas, rreth 300 milje larg dhe në epiqendrën e një përplasjeje të fundit mes qeverisë shtetërore dhe federale për pikat kufitare.