Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi për Gërdecin, çfarë ndodhi në seancën një orarëshe, Mediu: Dëshmitarët të mos heshtin


Ditën e sotme (7 shkurt) është mbajtur seanca e rradhës për çështjen e Gërdecit në Gjykatën e Posaçme.

Në seancën e cila zgjati rreth 1 orë, ishte i pranishëm dhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu së bashku me avokatin e tij.

Në seancën pritej të ishte i pranishëm për të dëshmuar  dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha i cili sipas informacioneve ndodhet në Amerikë.

Ndërsa më 24 janar, rradha pët të dëshmuar për çështjen e Gërdecit ishte  e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakë të cilët përcaktuan Gërdecin si vendin ku kryhej demontimi i municioneve.

Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mbrojtjes në vitin 2008, i dënuar për Gërdecin me 3 vite burg, – i pyetur për vendimin 550 të ministrit të Mbrojtjes mbi caktimin e vendit, edhe pse i pasigurtë fajin e kaloi te uniformat ushtarake, duke ia hequr këtë përgjegjësi ish shefit të tij Fatmir Mediu.

 Ndërkohë SPAK ka kërkuar marrjen në pyetje të ish-ministrit Fatmir Mediu. Seanca e radhës në GJKKO për tragjedinë e Gërdecit do të mbahet në 21 shkurt.

Pasi doli nga seanca, ish-ministri i Mbrojtjes komentoi lidhur me  mos paraqitjen e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha.

“Në këtë proces gjyqësor prej disa kohësh nuk ka asnjë dëshmitar të thirrur nga prokuroria që të ketë thënë qoftë se ministri ka edhe një grimcë faj Procesi i demtonimit është thirrur nga strukturat e ministrisë së Mbrojtjes që nuk lidhen më fushën e veprimtarisë së Ministrisë.

Sa i përket vazhdimit të procesit i bëj thirrje që secili të vijë. Të mos zgjedhin pozicionin e heshtjes sepse do ishte mirë që me dëshmitë e tyre të hedhin sa më shumë dritë”- tha Mediu.

Ndër të tjera në senacën e sotme të gjyqit për Gërdecin, GJKKO informoi se ministria e Drejtësisë ka dërguar letërporosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAC.

Sipas informacioneve, SPAK ka kërkuar të gjendet dhe të thirret Anjola Agolli ish-sekretare e ministrit të drejtësisë, e cila nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë në dispozicion një adresë të re të saj.

Ndërkohë u përsërit thirrja për të bashkëpandehurit e tjerë mes tyre Luan Hoxha, Dritan Minxolli dhe Mihal Delijorgji të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.

Anjola Agolli, ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, kërkohet që të merret në pyetje lidhur me faksin për ‘Shkëlzen Berishën’ dërguar nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrijtjes.

Faksi i vitit 2007 ku është shënuar emri i Shkëlzen Berishës, ishte dhënie mendimi aprovues nga Ministria e Drejtësisë, për projekt-vendimin e qeverisë të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes, për demontimin e municioneve në Gërdec.