Vendosni fjalën kyçe....

Vdiq në varfëri para 184 vitesh, i përçmuar pasi pëlqehej nga Hitleri, “rikthehet” e mahnit botën e artit


Piktura e Caspar David Friedrich “Shkëmbinjtë prej shkume në Rügen”, Muzeu i Artit Winterthur

Kur Caspar David Friedrich vdiq në varfëri në 1840, ai pothuajse u harrua nga bota e artit bashkëkohor. Me afrimin e ditëlindjes së tij të 250-të, reputacioni i tij po arrin lartësi të reja dhe viti i përvjetorit ka të ngjarë ta ngrejë edhe më lart.

Tri ekspozita të mëdha janë planifikuar në Gjermani këtë vit. “Kunsthalle” e Hamburgut e nisi e para, shfaqja e saj kushtuar artistit romantik gjerman u hap në dhjetor, duke u përqendruar në vizionin e tij të ri të marrëdhënies së njeriut me natyrën dhe duke shfaqur veprën e tij më të njohur, “Endacak mbi detin e mjegullës” (rreth vitit 1817).

“Alte Nationalgalerie” e Berlinit hap shfaqjen e saj më 19 prill dhe “Albertinum und Kupferstich-Kabinett” e Dresdenit do e pasojnë në gusht. Ekspozita janë planifikuar gjithashtu në qytete më të vogla si Weimar dhe Greifswald, vendlindja e Friedrich në verilindjen e largët të vendit.

Vepra e Caspar David Friedrich “Burri dhe gruaja duke menduar për hënën”, Muzetë Shtetërore në Berlin

Ekspozita e Berlinit, “Caspar David Friedrich: Peizazhe të pafundme”, do shqyrtojë rolin e Galerisë Kombëtare në rizbulimin e artistit në fillim të shekullit të 20-të. Gjatë jetës së tij, Berlini ishte qendror për suksesin e Friedrich, më shumë se Dresden, ku ai jetoi për 40 vjet, sipas Birgit Verwiebe, një studiuese e Friedrich dhe kuratore e ekspozitës së Berlinit.

Romanticist në fron

Peizazhet e Friedrich u ekspozuan shumë herë në Akademinë e Berlinit midis 1810 dhe 1834 dhe u admiruan nga poeti romantik Clemens Brentano, dramaturgu Heinrich von Kleist dhe, më e rëndësishmja, nga princi i kurorës, i cili më vonë u bë Frederick William IV dhe u njoh si “Romanticisti në fron”.

Ai e bindi babanë e tij, Frederick William III, të blinte disa vepra të rëndësishme të Friedrich në fillim të shekullit të 19-të, mes tyre “Murgu pranë detit” – një pikturë panoramike e plazhit dhe oqeanit me një figurë të vogël të errët në qendër, përballë dallgëve të bardha dhe “The Abbey in the Oakwood”, që përshkruan një gërmadhë gotike të rrethuar me gurë varresh dhe pemë të zhveshura të përdredhura.

Falë blerjeve mbretërore, Berlini ka një nga koleksionet më domethënëse të veprave të Friedrich në botë. Nga Berlini, ai pushtoi Rusinë; motra e princit të kurorës, Charlotte, e cila ishte gjithashtu një admiruese e zjarrtë, më vonë u bë bashkëshorte e perandorit në Rusi kur burri i saj u kurorëzua Car Nikolla I në 1825. Ajo e bindi carin të blinte veprat e Friedrich-ut dhe nëntë piktura mbeten në Hermitat në Shën Petersburg.

Ndoshta vepra më e njohur e Friedrich-ut, piktura në vaj “Endacak mbi detin e mjegullës” është aktualisht e ekspozuar në Kunsthalle të Hamburgut

Ndoshta vepra më e njohur e Friedrich-ut, piktura me vaj “Endacak mbi detin e mjegullës” është aktualisht e ekspozuar në “Kunsthalle” të Hamburgut.

Muzetë gjermanë ishin në diskutime për veprat nga Rusia para shkurtit 2020, thotë Verwiebe. Por që nga pushtimi i Ukrainës, pas të cilit muzetë ndërkombëtarë ndërprenë lidhjet me Rusinë, kjo u bë e pamundur.

Nga fillimi i shekullit të 20-të, Friedrich kishte rënë në errësirë. Por ekspozita e 1906 e artit gjerman nga 1775 deri në 1875 në Nationalgalerie tregoi 93 nga veprat e tij – ekspozita më gjithëpërfshirëse e artit të Friedrich-ut që kishte pasur ndonjëherë. Kjo shënoi fillimin e një ringjalljeje të ngadaltë të interesit që ende po rritet.

“Për një kohë të gjatë, Friedrich ishte një majë brenda vendit,” thotë Verwiebe. Pas Luftës së Dytë Botërore, reputacioni i tij u dëmtua nga pëlqimi që kishin nazistët për  veprën e tij. Hitleri e donte pikturën romantike gjermane dhe Friedrich ishte një nga artistët e tij të preferuar. Studiuesit dhe muzetë u larguan nga Friedrich në vitet e pasluftës.

Friedrich “Murgu buzë detit,” Muzetë Shtetërore në Berlin

U deshën disa dekada që tabuja të zbehej. Në vitin 1972, “Tate” e Londrës ngriti një ekspozitë të madhe që kontribuoi shumë në famën ndërkombëtare të Friedrich. Në vitin 1974, u krijuan radhë të gjata për një ekspozitë Friedrich në “Hamburger Kunsthalle” që shënonte ditëlindjen e tij të 200-të.

Rritja e vijueshme e popullaritetit të tij pasqyrohet edhe në treg. Ndërsa pikturat e Friedrich janë kryesisht tani në muze, vizatimet e tij ende ndryshojnë duart mes koleksionistëve privatë, thotë Christina Grummt, autorja e katalogut raisonné e vizatimeve të Friedrich.

Një libër i rrallë skice i Friedrich arriti në 1.8 milionë euro në ankandin e “Villa Grisebach” në nëntor të vitit të kaluar. Pak para ankandit, autoritetet e Berlinit e paraqitën atë si një kandidat për trashëgimi të vlefshme kombëtare, që do të thotë se nuk mund të eksportohet ndërsa është në shqyrtim.

Ndikimet bashkëkohore

Friedrich vijon të magjepsë artistët bashkëkohorë, ndoshta më së shumti Gerhard Richter, i cili u frymëzua nga piktura e Friedrich “Deti i Akullit” 1823-24 për të vizituar Groenlandën në 1972. Ekspozita e Hamburgut do eksplorojë ndikimin e kohëve moderne të Friedrich përmes veprave nga artistë të gjallë si Julian Charrière, Olafur Eliasson, Ulrike Rosenbach dhe Kehinde Wiley.

Ndërkombëtarisht, reputacioni i artistit është ende në rritje, sipas Verwiebe.

“Kishte një zhvillim gradual në shekullin e 21-të që ende po rritet,” tha ajo. Një ekspozitë në Muzeun Kunst në Winterthur vitin e kaluar ishte aq e popullarizuar sa muzeu duhej të paralajmëronte vizitorët në faqen e tij të internetit për kohën e pritjes për të hyrë.

“Deti i Akullit” i Friedrich-ut përshkruan një anije të mbytur në Arktik. Hamburger Kunsthalle

“Zviceranët sapo e kanë njohur atë”, thotë Grummt.

“Njerëzit vinin përsëri dhe përsëri, ata ishin të magjepsur. Secili sheh diçka në punën e tij dhe mendon se i flet atij personalisht.”

Pas ekspozitave gjermane të këtij viti, në 2025 Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork do organizojë shfaqjen e parë të madhe amerikane për Friedrich.

“Caspar David Friedrich: Shpirti i Natyrës” me siguri do t’i fitojë atij audiencë të re. Por gjithashtu mund t’i bëjë ekspozitat e ardhshme më të pakta nëse muzetë me zotërime të veprës së Friedrich bëhen gjithnjë e më ngurrues për t’u ndarë me vizitorët piktura të tilla të vlefshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani