Vendosni fjalën kyçe....

Çollaku: Rruga e grupit Berisha-Bardhi në parlament pa sukses, komoditet për Ramën


Deputeti i grupit Basha, Kreshnik Çollaku, tha se rruga e përdorur nga krahu tjetër i opozitës nuk është e suksesshme.

Pas përfundimit të seancës ai tha se e mbështet kërkesën e palës tjetër për ngritjen e komisioneve hetimore po jo rrugën e zgjedhur për të bërë opozitë në parlament.

Çollaku theksoi se për qeverinë dhe kryeministrin Rama e deputetët socialistë është shumë komode të kalojnë ligje të rëndësishme në vetëm pak minuta pa asnjë lloj debate e kundërshtie në parlament.

 “Kjo e sotmja është një seancë anormale. Anormaliteti, që sipas nesh në thelb dëmton opozitarizmin dhe debatin parlamentar. Kjo është e vetma armë që opozita ka për të ushtruar funksionet. Kjo situatë, të cilën për një kohë e kemi kuptuar në një sens solidariteti, po na kthehet kundër. Mbështesim pjesën tjetër të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Por kjo rrugë nuk po rezulton e suksesshme. Kjo po kthehet në një komoditet për qeverinë që kalon ligjet pa asnjë debat, pa asnjë llogari. Unë nxis zërat racionalë edhe nga krahu tjetër i opozitës se duke bllokuar parlamentin bllokojmë opozitarizmin dhe oponëncën ndaj qeverisë. Rama nuk ka asnjë problem më këtë gjë. Siç ka kaluar ligjet shumë të rëndësishme, buxhetin, marrëveshjen për emigrantët Rama-Meloni apo ligjin e diasporës, i kalon pa asnjë lloj debati, oponence. Kjo është një rrugë që nuk po ka asnjë sukses. Do tentojmnë një dialog brenda llojit. Mbështesim zërat racionalë në krahun tjetër.” – tha Çollaku.