Vendosni fjalën kyçe....

Skadon afati 95-vjeçar, “Mickey Mouse” hyn në domenin publik


Një nga personazhet imagjinar më të njohur ndonjëherë, Mickey Mouse, ka hyrë në domenin publik, me kompaninë Walt Disney që ka humbur të drejtat ekskluzive për versionet e hershme të karikaturës ikonë.

Ligji amerikan lejon që e drejta e autorit të mbahet për 95 vjet, që do të thotë se të drejtat e Disney-t për paraqitjen e parë të Mickey Mouse nga ‘Steamboat Willie’ në 1928 skadonin më 1 janar 2024.

Çdokush tani mund të përdorë miun e filmave vizatimorë në piktura, romane, këngë dhe gjetkë, por me kufizime të caktuara. Disney ka ende mënyra për të mbrojtur Mickey Mouse pasi do ruajë të drejtën e autorit mbi versionet më moderne të personazhit për vitet në vijim. Kompania thotë se do vijojë të mbrojë markat e saj tregtare, të cilat mund të kufizojnë atë që krijuesit janë në gjendje të bëjnë.

“Që nga shfaqja e parë e Mickey Mouse në filmin e shkurtër të vitit 1928 “Steamboat Willie”, njerëzit e kanë lidhur personazhin me historitë, përvojat dhe produktet autentike të Disney,” tha një zëdhënës i Disney për Associated Press.

“Kjo nuk do ndryshojë kur të skadojë e drejta e autorit në filmin “Steamboat Willie”.

Një mi antropomorfik me pantallona të shkurtra të kuqe, këpucë të mëdha të verdha dhe doreza të bardha, Mickey është bërë simboli i markës Disney dhe një nga personazhet më të njohur dhe më të dashur në mbarë botën. Menjëherë pasi vizatoi Mickey-n, Walt Disney i vizatoi atij një të dashur, Minnie, një mi femër me një fustan me pika dhe një hark të madh në kokë.

Vetëm një muaj pas shfaqjes së “Steamboat Willie” në 1928, Walt Disney regjistroi zyrtarisht personazhin Mickey Mouse për mbrojtjen e të drejtave të autorit. Së bashku me kompanitë e tjera, Disney loboi me sukses në Kongresin Amerikan për të zgjatur gjatësinë e të drejtave të autorit, duke e shtyrë atë në 95 vjet.

Gjatë dekadave, paraqitjet e Mickey dhe Minnie në filma vizatimorë të ndryshëm jo të Disney-t, si dhe në stripa komike, filma dhe mallra, kanë rezultuar në padi për shkak të shkeljes së të drejtave të autorit.

Ekspertët e industrisë e përshkruajnë hyrjen e Mickey-t në domenin publik si historike.

“Kjo është një gjë e madhe”, citohet të ketë thënë drejtoresha e Qendrës Duke për Studimin e Domenit Publik, Jennifer Jenkins.

“Po sjell kaq shumë emocione në komunitetin e të drejtave të autorit, më në fund po ndodh.”

Lista e veprave apo personazheve që hynë në domenin publik në vitin 2024 përfshin Tigger, i cili, ashtu si Mickey Mouse, u shfaq për herë të parë në vitin 1928.

Libri në të cilin u shfaq për herë të parë tigri kërcyes, “Shtëpia në Pooh Corner”, ka mbushur 96 vjeç. Vepra të tjera të vitit 1928 përfshijnë romanin ‘Dashnori i Zonjës Chatterley’ nga D. H. Lawrence; Romani i E.M. Remarque “Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit ” dhe filmi i Buster Keaton “Kameramani”.