Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet për nesër seanca në GJKKO për masën ndaj Berishës, avokatët sërish kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka


Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër seancën për shtëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, në hetim për çështjen Partizani.

Ndërkohë pritet që nesër, në orën 15:00 të jepet vendimi për kërkesën e SPAK, për të lënë në ‘arrest shtëpie’ ish-kryeministrin.

Avokatët e Sali Berishës kanë bërë sërish kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, ndërsa kërkesa që bën një ditë më parë u rrëzua nga GJKKO. Ata kërkojnë përjashtimin e gjyqtares me pretendimin se Berisha e ka larguar nga puna më 8 shkurt 1996. Por në fakt Report Tv publikoi dokumentin që përgënjeshtron këtë pretendim të Berishës, pasi ai e ka emëruar sërish gjyqtaren Gjoka më 23 gusht 1996.

“Me autorizimin e Ramës dhe kësaj mazhorance, sipas atij autorizimi vazhdoi edhe gjyqi. Për gjithë këto shkelje, rrëzim kërkesash që bëri, në kërkuam për së dyti përjashtimin e gjyqtares për shkak se Berisha e ka shkarkuar. Ka rrëzuar kërkesat tona, pa u marrë vendimin për rrëzimin e kërkesës. Ligji thotë kur ngrihet kërkesa për përjashtim, gjykata nuk mund të japë vendim, seanca duhet ndërprerë automatikisht. Këta janë të sigurt që do rrëzohen të gjitha dhe vazhdojnë”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Gjyqtarja Irena Gjoka rrëzoi edhe kërkesën e avokatëve të Berishës që në senacë të ishin të pranishme mediat, me argumentin se përbëjnë sekret hetimor aktet për të cilat diskutohet. Seanca nisi në orën 11:00, ndërsa të pranishëm ishin vetëm avokatët e Berishës. Ish-kryeministri nuk u paraqit, ndërsa protestoi para Gjykatës së Lartë teksa po shqyrtohej rekursi i Rithemelimit për vulën e PD. Në GJKKO ka pasur edhe masa të shtuara sigurie.