Vendosni fjalën kyçe....

Tusk votohet si kryeministri i ri polak, priten ndryshime të forta


Donald Tusk të hënën në mbrëmje u nominua për t’u bërë kryeministri i ri i Polonisë. Qeveria e Tusk ka shumë të ngjarë të bëjë betimin të mërkurën, tha Marcin Mastalerek, kreu i zyrës së presidentit, për radion RMF FM të hënën.

“Nuk mund të kisha bërë ndryshe, më duhej të kthehesha”, tha Tusk pas votimit. Tusk, 66 vjeç, ishte kryeministër midis 2007 dhe 2014, përpara se të bëhej president i Këshillit Evropian.

“Më 15 tetor polakët u zgjuan dhe vendosën t’ju largojnë nga pushteti,” tha ai, duke iu referuar Jaroslaw Kaczynski, lideri i partisë në ikje në pushtet, Ligji dhe Drejtësia (PiS), e cila ka mbretëruar që nga viti 2015.

“Faleminderit të gjithë polakëve. Kjo është një ditë e mrekullueshme, jo për mua, por për ata që besuan se gjërat do të përmirësoheshin, madje duke kënduar se “ne do të largojmë errësirën dhe të keqen”, tha Tusk.

“Unë u jam borxhli atyre që i besuan kësaj shprese të re polake, sepse ata besojnë thellë tek ne dhe Polonia, dhe ata na kanë dhënë kredi të kujdesshme dhe kanë vendosur të bëjnë këtë ndryshim historik,” shtoi ai.

Kryeministri i ri ia kushtoi fitoren edhe “të gjithë polakëve të fyer, të hidhëruar nga tetë vjet politikë përbuzjeje”.“Jam shumë krenar për ju, për të gjithë ata që u trembën, por nuk u trembën deri në fund. Ndoshta kjo fitore është falë më të dobëtit.”Ai u zotua: “Ne do t’i rregullojmë të gjitha së bashku, do jemi në gjendje të korrigjojmë gabimet që nga nesër, në mënyrë që të gjithë qytetarët polakë të ndihen si në shtëpinë e tyre.”

Kryeministri në largim, Mateusz Morawiecki, më herët të hënën humbi një votë besimi në qeverinë e tij në dhomën e ulët të parlamentit (Sejm), me një votim 266-190. Nëse kryeministri i caktuar nga presidenti nuk arrin të marrë shumicën absolute të votave, sipas Kushtetutës, emërimi i qeverisë i kalon Sejmit. Minimumi 46 deputetë mund të propozojnë një kandidat për kryeministër.

Tusk ishte kandidat i Koalicionit Qytetar (KO), Partia Popullore (PSL), Polonia 2050 dhe E Majta. Më 10 nëntor, krerët e këtyre partive nënshkruan një marrëveshje koalicioni. Këto formacione kanë një shumicë prej 248 votash kundrejt 191 votave të grupit të Ligjit dhe Drejtësisë (PiS). Emërimi i Tusk i jep fund tetë viteve të sundimit nga PiS.

Buxheti i ri, ndryshime në sistemin e drejtësisë

Një nga detyrat e para të kabinetit të ri do të jetë miratimi i një buxheti, i ndjekur nga ndryshimet në sistemin e drejtësisë.

Më vonë këtë javë, senatori Adam Bodnar thuhet se do paraqesë një skenar të hollësishëm të ndryshimeve në këtë fushë, që synon t’i mundësojë Polonisë të marrë fonde për Planin e saj Kombëtar të Rimëkëmbjes.

Sipas Katarzyna Piekarska (KO), nënkryetare e Komitetit të Drejtësisë të Parlamentit, funksionet e ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm duhet të ndahen sa më shpejt që të jetë e mundur, një veprim që duhet të ndihmojë në zhbllokimin e fondeve të BE-së të alokuara për Poloninë.

Wladyslaw Kosiniak-Kamysz thuhet se do të bëhet ministër i Mbrojtjes, ndërsa Radoslaw Sikorski mund të bëhet sërish ministër i Jashtëm.

PiS mbetet partia më e madhe e vetme në parlament, me 194 nga 460 vende, ndërsa Duda ka të drejtën e vetos mbi vendimet parlamentare.

Të hënën në mëngjes, Moraëiecki mbajti një fjalim në Sejm duke renditur arritjet e qeverisë së tij, duke thënë se “pyka e taksave në Poloni është më e ulëta midis të gjitha vendeve të BE-së OECD”. Ai pohoi gjithashtu se hendeku i pagave ishte ngushtuar nën qeverinë e PiS.

Udhëheqësi i PiS Jaroslaw Kaczynski tha se pas votimit të humbur se PiS “do jetë e ashpër në opozitë” dhe i pyetur nga një gazetar nëse do i uronte fat Tusk-ut, ai tha: “Ju lutem mos bëni shaka!”

Kaczynski më vonë sulmoi podiumin e Sejm, duke thirrur: “Unë e di një gjë, ju jeni një agjent gjerman”, ndërsa Tusk foli.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Anadolu Agency