Vendosni fjalën kyçe....

Kostoja e emigrantëve i kushtoi Holandës 400 miliardë euro në 25 vjet – Studimi


Sipas një studimi të ri, shpenzimet e qeverisë holandeze për emigrantët tejkalojnë shpenzimet mesatare për arsimin, sigurimet shoqërore dhe përfitimet. Kostoja neto e emigracionit thuhet se ka arritur në më shumë se 400 miliardë euro gjatë një harku kohor 25-vjeçar.

Studimi, i titulluar “Shteti pa kufij i mirëqenies: Pasojat e emigracionit në financat publike”, zbuloi se kostot nga politikat e emigracionit në Holandë kanë arritur në 17 miliardë euro në vit mesatarisht, me një kulm prej 32 miliardë euro në 2016 për shkak të krizsë së refugjatëve në vitin 2015.

Autorët e studimit theksuan se kostot e mëdha janë kryesisht rezultat i rishpërndarjes financiare nëpërmjet shtetit të mirëqenies, dhe arritën në përfundimin se ose emigracioni do duhet të kufizohet, ose sistemi holandez i mirëqenies do duhet të pësojë shkurtime dramatike.

Vazhdimi i emigracionit me ritmin e tanishëm dhe strukturën e kostos do ushtrojë presion në rritje mbi financat publike, thuhet në studim, duke e bërë të pashmangshëm pakësimin e përfitimeve ose uljen e emigracionit.

Vetëm në vitin 2016, qeveria holandeze thuhet se shpenzoi rreth 30 miliardë euro për arsimin, që është 2 miliardë euro më pak se sa shpenzoi për emigrantët në të njëjtin vit.

Studimi gjithashtu thekson se emigrantët zakonisht paguajnë taksa më të ulëta dhe japin më pak kontribute të sigurimeve shoqërore sesa jo emigrantët. Kjo është konfirmuar nga një raport i veçantë i bërë nga Ministria e Financave, e cila pranon se kontributi fiskal neto i emigrantëve është dukshëm më i ulët se pjesa tjetër e popullsisë.

Sipas studimit, ka një përqindje veçanërisht të lartë të kontributit negativ nga emigrantët që vijnë nga vende, përfshirë Turqinë dhe Marokun. Gjatë jetës mesatare të një emigranti maroken, ata u vlerësuan t’i kushtonin popullit holandez 260,000 euro për person.

Sipas studimit, emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut mesatarisht nuk arrijnë të japin një kontribut pozitiv në krahasim me atë që shteti shpenzon për ta.

Emigrantë të tjerë joperëndimorë, veçanërisht aziatikë, japin një kontribut të vogël neto, zbuloi hulumtimi. Megjithatë, emigrantët nga vendet perëndimore mbeten prapa shtetasve vendas holandezë në kontributet e tyre ekonomike.