Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja e Izraelit: S’mund ta pranojmë propozimin e Ramës (dhe diçka për myslimanët shqiptarë)


Ambasadorja e Izraelit në Tiranë, Galet Peleg, gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë” të gazetares Elona Meço deklaroi se propozimi i Kryeministrit Edi Rama për mbarëvajtjen e situatës pas mbarimit të luftës duhet të plotësojë tre kushte.

Sipas ambasadores Peleg tre kushtet janë lirimi i të gjitha pengjeve nga Hamasi, moskontrolli i Gazës nga Hamasi dhe që çdo zgjidhje duhet të ketë masa sigurie për Izraelin.

Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë. 1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte! 2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën. 3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin”-tha Ambasadorja.

Më tej diplomatja izraelite foli edhe për myslimanët e Shqëipërisë të cilët edhe kanë tubuar pro palestinës.

Unë njoh shumë myslimanë, edhe në Shqipëri. Jam e sigurtë se asnjë prej tyre nuk do të binte dakord që të vriteshin foshnja në emër të islamit, apo t’u priten kokat njerëzve në emër të islamit, ose të përdhunohen gra në emër të islamit”-tha Peleg.

Intervista:

Elona Meço: Ne këtu jemi në ambasadë, në territor izraelit, teorikisht në një territor në luftë, por për fat të mirë në Shqipëri jemi të sigurtë. Por kjo luftë që po zhvillohet, a e ka dobësuar pozicionin e Izraelit për shkak të viktimave të shumta, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë?

Ambasadorja e Izraelit: Faleminderit për ftesën dhe për realizimin e kësaj interviste. Ne jemi në Shqipëri dhe për ne është një vend shumë, shumë miqësor. Mendoj se shqiptarët e kuptojnë situatën e vështirë që përjetuam. Përpara se të flasim për pozicionin e Izraelit në arenën ndërkombëtare, dua të theksoj së pari se Izraeli nuk e donte këtë luftë.  Kjo luftë nisi në 7 tetor, kur Izraeli u sulmua nga Hamas-i përmes Gazës. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar duhet ta kujtojë. Së dyti, Izraeli është i angazhuar të mbrojë qytetarët e tij. Prandaj, çfarëdo që t’i ndodhë izraelitëve, Izraeli duhet të përgjigjet. Ne kemi 2 qëllime për këtë luftë. Një, të lirojmë pengjet që po mbahen në Gaza dhe dy, Izraeli të shkatërrojë Hamas-in, sepse ky është burimi i këtyre akteve të dhunshme që po ndodhin. Izraeli  e ka deklaruar gjithmonë se civilët palestinezë nuk janë qëllimi ynë dhe nuk janë armiqtë tanë. Ne po shënjestrojmë Hamasin. Problemi është se Hamas-i është një organizatë terroriste dhe i është bashkëngjitur  popullatës civile. Po i përdorin ata si mburoja njerëzore. Ne kemi provuar me pamje se shtabet e tyre ishin të vendosur në spitale, në xhami, në shkolla, edhe në godinat e agjencive të OKB-së. Kishin armë atje, raketa. Prandaj, është shumë e vështirë të luftosh Hamas-in pa viktima në njerëz. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë  dy gjëra. Së pari, është detyrim i Shtetit të Izraelit të mbrojë qytetarët e vet. Dhe në mënyrë që të mbrojë qytetarët e vet duhet të luftojë Hamas-in. Dhe duke luftuar Hamas-in, ka viktima në anën e njerëzve. Ka edhe diçka tjetër që komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë, pjesa më e madhe e vendeve perëndimore e kupton, që lufta me Hamas-in, lufta me terrorin, nuk është problem i Izraelit. Sot është Izraeli dhe nesër është qendra e Europës. Nëse nuk e luftojmë Hamas-in tani, komuniteti ndërkombëtar do ta gjejë veten në një luftë më të ashpër me terrorin sesa ishte deri tani. Dhe nuk po them që komuniteti ndërkombëtar nuk ka vuajtur nga terrori. Prandaj, njerëzit në komunitetin ndërkombëtar e dinë se çfarë do të thotë. Nëse ti nuk e lufton terrorin tani, ai do të të kafshojë në të ardhmen.

Elona Meço: Sapo janë bërë 2 muaj që kur Izraeli u sulmua barbarisht nga Hamasi, duke shënuar dhe nisjen e luftës. Që atëherë, keni patur mundësi të udhëtoni në Izrael? Ndihet lufta në qytetet kryesore? Çfarë perceptimi ka?

Ambasadorja e Izraelit: Nuk e kam patur ende mundësinë të shkoj në Izrael. Shpresoj të shkoj brenda pak ditëve. Zemra ime është në Izrael, por siç i thashë disa ditë më parë kryeministrit tuaj, zotit Rama, nëse nuk jam në Izrael, jam e lumtur që jam në Shqipëri. Sepse këtu ndihem mirë. Përsa i përket asaj që po ndodh në Izrael, kur them se zemrën e kam në Izrael, dua të them, para së gjithash, se ne varrosëm shumë njerëz që nuk u vranë në luftë. Ata nuk ishin ushtarë, por fëmijë, të moshuar, njerëz nga komunitete që jetojnë pranë kufirit me Gazën. Disa nga këto komunitete humbën 25% të anëtarëve të tyre. Pra, ka shumë dhimbje dhe vuajtje tani. 127 mijë njerëz duhet të largoheshin nga shtëpitë. Tani ata nuk kanë shtëpi, sepse shtëpitë e tyre u dogjën. Ata jetojnë në hotel, në qendër të Izraelit. Ajo që mendoj për njerëzit atje është se nëse dikush do të përpiqej të zbërthejë AND-në e hebrenjve, mendoj se kjo është koha për ta bërë dhe për të parë se çfarë ndodh. Që prej 7 tetorit të gjithë janë bashkë, të gjithë dalin vullnetarë. Të gjithë bëjnë diçka  për dikë. Ky është një mesazh për të gjithë armiqtë tanë! Në 2 mijë vjet, jo vetëm tani, hebrenjtë janë sulmuar shumë herë në histori dhe ju e dini se koha më e tmerrshme ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjatë Holokaustit. Tani ndodhi 7 tetori, por ju nuk mund të na shkatërroni! Mund të na lëndoni dhe ne jemi të mbushur me dhimbje tani, por ne jemi të pathyeshëm!

Elona Meço: Ju thatë pak më parë se ndiheni e kënaqur që jeni në Tiranë, për shkak edhe të sigurisë që ju jep Shqipëria. Kjo e përjashton pyetjen time, nëse izraelitët këtu mund të ndihen të kërcënuar në njëfarë mënyre?

Ambasadorja e Izraelit: Së pari, nuk ka shumë hebrenj në Shqipëri. Janë disa, por nuk besoj se ndihen të kërcënuar. Jua them dhe pse. Mund t’ju them personalisht se pas 7 tetorit mora një numër të madh mesazhesh, ngushëllime, njerëz që thonë “ne jemi me ju”, “ne ju mbështesim”, “ne ju kuptojmë”. Ishte diçka e mrekullueshme. U mburresha kolegëve të mi, ambasadorëve të tjerë në vende të tjera, sepse shumë njerëz na mbështesin dhe janë dakord me Izraelin. Por edhe nëse ka pak njerëz që nuk bien dakord me Izraelin, qëndrimi nga presidenti tek qeveria, në parlament, pavarësisht nëse janë në opozitë ose maxhorancë, autoritete të ndryshme, kemi marrë kaq shumë mbështetje, por edhe nga njerëzit në rrugë. Prandaj mund të them se jo, nuk shoh kërcënim këtu.

Elona Meço: Jua bëra këtë pyetje, sepse këtu në Shqipëri u mbajtën 2-3 protesta në mbështetje, siç u tha, të popullit palestinez. Besoj ju ranë në sy pankartat e tyre për krimet e luftës apo genocidit të Izraelit në Gaza. Keni informacion për rritje të ndjenjave antisemite në Shqipëri?

Ambasadorja e Izraelit: Së pari dua të sqaroj se nuk ka genocid. Janë lajme të rreme që po qarkullojnë, në mënyrë që të përhapin një reputacion të keq për Izraelin. Si mund të ketë genocid, kur numri i palestinezëve dyfishohet çdo vit?! Nuk ka genocid. Izraeli nuk ka asnjë problem me popullin palestinez. Mund t’ju them edhe më shumë. Si ambasadore këtu, nuk kam asnjë problem me protestat pro palestineze. Është ok të jesh pro palestinez. Është ok të jesh pro izraelit. Kushdo mund të ketë opinionin e vet, përsa kohë nuk sulmon palën tjetër me të drejtën për të ekzistuar. Nuk mendoj se antisemitizmi po rritet në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria është akoma si një perlë, si një rreze drite në atë se çfarë po ndodh sot në Europë. Mendoj që është shumë, shumë i rëndësishëm pozicioni i qeverisë, i policisë dhe siç e thashë, i parlamentit. Nuk është çështje e Partisë Socialiste apo Partisë Demokratike. Mendoj se antisemitizmi nuk ekziston këtu. Ne folëm për ADN-në, antisemitizmi nuk ekziston në AND-në e shqiptarëve. Kur flasim për fenë, njerëzit nuk janë radikalë dhe vërtet shpresoj që ata elementë radikalë nuk do të inflitrohen në Shqipëri. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me të gjitha fetë këtu dhe do të doja të vëzhdonte kështu.

Elona Meço: Protestat që u organizuan në Tiranë kishin pankarta që dënonin, siç thashë, genocidin dhe krimet e luftës së Izraelit në Gaza, por a kanë ato edhe karakter fetar, duke qenë se janë organizuar përgjithësisht nga organizata islamike? 

Ambasadorja e Izraelit: Jam e sigurtë që kanë. Por siç e thashë, mendoj se shqiptarët nuk janë radikalë. Nuk ka rëndësi se cilit besim i përkasin. Dhe shpresoj se nuk do të ndikohen nga radikalët. Dua të them diçka që e kam thënë që prej nisjes së kësaj lufte. Nëse je mysliman, duhet të jesh i pari që duhet të dënosh Hamas-in. Sepse emri i tij është Lëvizja e Rezistencës Islame. Gjithçka ata thonë se e bëjnë në emër të islamit. Unë njoh shumë myslimanë, edhe në Shqipëri. Jam e sigurtë se asnjë prej tyre nuk do  të binte dakord që të vriteshin foshnja në emër të islamit, apo t’u priten kokat njerëzve në emër të islamit, ose të përdhunohen gra në emër të islamit. Pra, nëse ka elementë që duan ta trajtojnë si diçka të fesë myslimane, mendoj se janë shumë gabim. Ata duhet të jenë të parët që të thonë se kjo nuk na përfaqëson. Prandaj them se qëllimi ynë për të eliminuar Hamas-in nga Gaza nuk është vetëm për Izraelin, por edhe për palestinezët në Gaza, për myslymanët në Gaza.

Elona Meço: Por ata e kanë votuar Hamas-in.

Ambasadorja e Izraelit: Askush nuk është naiv që të mendojë se nuk ka mbështetës të Hamas-it në Gaza. Keni absolutisht të drejtë. U mbajtën zgjedhje dhe ata fituan. Pa hile. Kjo nuk e ndryshon faktin që ata po vuajnë. Shikoni, një shembull shumë të vogël. Ata po luten që ndihmat humanitare të hyjnë në Gaza. Ndihma humanitrare po shkon në Gaza dhe ku po shkon? Po shkon në duart e Hamsa-it. Ata po ua japin ndihmat njerëzve të tyre ose ndjekësve të tyre. E dini sa para janë dhënë për Gazën çdo vit? Miliarda euro janë derdhur në Gaza. Si ka mundësi që nuk është bërë dot Singapori i Lindjes së Mesme? Sepse  paratë e tyre i ka marrë Hamas-i. Ku jetojnë udhëheqësit e tyre? Ata kanë vila në Gaza, por jetojnë në Katar, në Doha, jetojnë në hotele luksoze në Ankara dhe në Stamboll. Ata nuk rrinë në Gaza.

Elona Meço: Meqë jemi tek Stambolli. Unë këmbëngula tek çështja fetare, pasi presidenti turk, rreth 2 javë më parë deklaroi se rënia e Gazës do të jetë një plagë e thellë për unitetin e botës islamike. Po përdoret feja islame për nxitjen e urrejtjes?

Ambasadorja e Izraelit: Fatkeqësisht, Presidenti i Turqisë e shfrytëzoi këtë rast për të prompovuar veten. Ai ka thënë gjëra të tmerrshme për Izraelin dhe është ndër pak, fare pak udhëheqës  në botë që mbështet Hamas-in. Hamas-i është një organizatë terroriste. Nëse je mik me Hamas-in, nuk mund të konsiderohesh si një udhëheqës serioz që vërtet do që të arrish diçka. Tani, në lidhje me Gazën si një plagë për islamin, ku ishte ai 2 muaj më parë? Ku ishte ai në 6 tetor? Pra, dua të them pse nuk e ndaloi Hamas-in për të mos bërë atë që bëri?

Elona Meço: Ndoshta nuk e dinte?

Ambasadorja e Izraelit: Ai nuk e dinte?! Ai është miku më i ngushtë i Hamas-it. Izraeli nuk ka ambicie për të kontrolluar Gazën. Ne u tërhoqëm nga Gaza në 2005-ën dhe nuk kemi arsye të kthehemi atje. Prandaj, Gaza nuk do të bjerë në duart e Izraelit. Izraeli do që të eliminojë Hamas-in, të kthejë pengjet në atdhe dhe të ikim nga Gaza. Ne nuk duam asnjë ushtar në Gaza. Nuk duam të vëmë në rrezik asnjë izraelit, por ne nuk do të tolerojmë që, në të ardhmen, të vazhdojmë të bashkëjetojmë me një organizatë naziste terroriste që provoi se mizoria e saj shkon përtej çdo imagjinate.

Elona Meço:  Qëllimi i deklaruar i luftës që Izraeli po bën në Gaza është shkatërrimi i Hamas-it, gjë që duket pak realiste. Sepse Hamasi nuk është vetëm një forcë fizike, e përbërë nga disa individë, udhëheqës politikë apo ushtarakë që mund të vriten. Organizata është një ide dhe idetë nuk vriten dot, por ka dhe financa të forta, siç thatë ju, financohet miliarda euro. Si do ta shkatërroni Hamas-in, sa do të zgjasë lufta?  

Ambasadorja e Izraelit: Së pari, ne e kemi përgatitur veten për një luftë të gjatë. Ne nuk e dimë se kur do të mbarojë. Nuk e di se cila do të ishte pamja e fitores që ju po kërkoni, por mund t’ju them se jam dakord me ju që nuk mund të mbarosh shpejt punë me Hamas-in. Është si një gjarpër që i pret kokën dhe rritet sërish. Jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Idea është që të shkatërrojmë aftësinë ushtarake në Gaza, kështu që ata nuk mund të veprojnë nga Gaza. Të shkatërrojmë selitë e tyre, armët dhe të shkatërrojmë zinxhirin e komandimit, në mënyrë që organizata të mos ketë mundësi të funksionojë në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ne po punojmë me të gjitha qeveritë në botë, në mënyrë që të kontrollohet furnizimi me para që ata marrin, pra financimi.

Elona Meço: Në lidhje me financimin. Pak ditë më parë, ambasadori i Izraelit në OKB akuzoi George dhe Alexander Soros, se financojnë organizata pro Hamasit, që kërkojnë shkatërrimin e Izraelit. Sa të besueshme janë këto deklarata, kur George Soros është vetë hebre? Pse do t’i interesonte kjo?

Ambasadorja e Izraelit: Nuk jam një specialiste për Sorosin, as për të shkuarën e tij dhe as për aktivitetin e tij aktual. Mund të them se nuk është hera e parë që ka kritika për aktivitetin e tij në Lindjen e Mesme, pra për fondacionin e tij, jo për të personalisht. Fakti që ai është hebre nuk do të thotë asgjë. Ka hebrenj që punojnë kundër Izraelit dhe kjo nuk të jep një certifikatë sigurie. Ka organizata që e prezantojnë veten si liberale, progresiste, pro njerëzve, por kur shikon më thellë se çfarë bëjnë ato, gjen se ata po financojnë edhe aktivitet anti-izraelit. Prandaj mendoj se këtë ka dashur të thotë ambasadori. Nuk mendoj se ka dashur të thotë që Soros po financon terrorin. Por mjafton që ka organizata të cilat brohorasin “që nga lumi deri në det, Palestina do të jetë e lirë’. Çfarë do të thotë “që nga lumi deri në det”, pra që nga lumi Jordan deri në detin Mesdhe. Çfarë ka në mes të lumit Jordan dhe detit Mesdhe? Është Izraeli. Nëse bërtet “nga lumi në det”, në fakt, po thua me fjalë të tjera se dua të shkatërroj Shtetin e Izraelit. T’ju them se këto George Soros ia thotë vetes çdo mëngjes? Nuk mendoj së është kështu, por nëse ai mbështet organizata që bërtasin këtë parrullë, atëherë, në mënyrë indirekte, ai po mbështet një organizatë që është kundër Izraelit.  

Elona Meço: Kryeministri Rama ka propozuar një koalicion shumëkombësh të Ligës Arabe dhe Turqisë, me mandat të OKB-së, që, kur të mbarojë lufta, të marrë kontrollin e Gazës dhe  të bëjë kalimin e qeverisjes nga Hamas-i tek Autoriteti Palestinez. Cili është qëndrimi i qeverisë së Izraelit për këtë propozim, kur dihet se Izraeli nuk është dakord që Autoriteti Palestinez të marrë kontrollin e Gazës?

Ambasadorja e Izraelit: Pata një takim me kryeministrin, gjithashtu edhe me Ministrin e Jashtëm. Ishte një takim shumë i mirë. Së pari, dua të them se ne e vlerësojmë shumë qëndrimin shumë të fortë të kryeministrit dhe qeverisë së tij në lidhje me përkrahjen e Izraelit kundër terrorit dhe për dënimin shumë qartë të Hamas-it. Jo çdo udhëheqës, për fat të keq, ishte mjaftueshëm kurajoz për ta thënë këtë. Kështu që kjo është diçka që ne e vlerësojmë shumë, pra, pozicionin shumë të qartë të kryeministrit. Gjithashtu, ne vlerësojmë që ai është i përfshirë dhe përpiqet të gjejë një zgjidhje. Më duhet të them se në këtë moment, ne nuk po shohim për ditën që vjen pas mbarimit të luftës. Po shohim se çfarë duhet bërë tani, sepse gjëja më e rëndësishme për ne është që të kthejmë në shtëpi të gjithë pengjet dhe të sigurohemi që Hamas-i nuk është më në Gaza. Çdo zgjidhje që do të pranohet pas luftës, duhet të marrë në konsideratë tre kushte dhe mendoj që kryeministri Rama e kuptoi shumë mirë. 1. Që pengjet duhet të lirohen. Të gjithë! Pa kushte! 2. Që Hamas-i të mos e kontrollojë Gazën. 3. Çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa sigurie për Izraelin. Tani, pyetja e madhe është: kush mund të jetë mjaftueshëm i fortë dhe të japë siguri që këto kushte do të përmbushen? Ajo që ne mendojmë tani është se Autoriteti Palestinez është tepër i dobët. Nuk është se ne nuk duam që ata të kontrollojnë Gazën në të ardhmen. Gaza është palestineze, kështu që do të ishte e natyrshme që Autoriteti Palestinez ta kontrollojë. Çështja është a janë ata mjaftueshëm të fortë tani që të sigurojnë se Hamas nuk kthehet psh. brenda 3 javësh? I thashë kryeministrit Rama se, kur Presidenti i Turqisë deklaron se Hamas-i është luftëtar i lirisë dhe Izraeli është terrorist, nuk mendoj se Izraeli do të bjerë dakord që ai të jetë njeriu, i cili do të na japë sigurinë se Hamas-i nuk do të jetë më në Gaza. Mendoj se nuk mund të nxjerrim të gjithë letrat mbi tavolinë përpara se lufta të mbarojë. Ne kemi një mision shumë të rëndësishëm dhe dua ta përdor këtë platformë për t’ju treguar një fotografi, se pse lufta duhet të mbarojë dhe pse ajo nuk mund të mbarojë përpara se këta fëmijë të kthehen në shtëpi. Ne akoma kemi pengje në Gaza. Ky foshnjë, e ka emrin Kfir. U çua në 7 tetor në Gaza me vëllanë Ariel. Atëherë ishte 9 muajsh. Sot është 11 muajsh. E kanë marrë bashkë me të ëmën.

Elona Meço: A e dini nëse janë gjallë?

Ambasadorja e Izraelit: Nuk dimë asgjë për ta. Dimë që babai i tyre është gjallë, gjithashtu i mbajtur peng në Gaza, veçmas. Me këto karta po luan Hamas-i. Përveç tyre, ne kemi 137 burra të moshave të ndryshme, si dhe disa gra, që po mbahen ende si pengje. Pra, ju i shihni këto fotografi dhe të gjithë duhet ta shohin beben Kfir për të kuptuar pse ne nuk i japim dot fund luftës përpara se këta fëmijë të kthehen në shtëpi.

Elona Meço: Zonja ambasadore, nëse unë do të intervistoja përfaqësuesin e Autoritetit Palestinez këtu në Shqipëri, ai të më tregonte fëmijët  e vrarë në Gaza dhe ju do ta shihnit nga televizori, çfarë përshtypje do t’ju bënte? Dhe ai do t’ju bënte ju fajtor, siç bëni ju Hamas-in.

Ambasadorja e Izraelit: Shiko, një gjë nuk do ta bëja kurrë. Nuk mendoj se një fëmijë ka vlerë të ndryshme këtu apo atje. Kur shoh një foshnjë të vrarë apo të plagosur më thyhet zemra. Nuk ka rëndësi çfarë kombësie ka, por këtu ka një ndryshim të madh. Për këto foshnje që ju tregova në fotografi, dikush shkoi në shtëpinë e tyre, në shtratin e tyre, i mori dhe i çoi në Gaza. Fqinjët e e tij u masakruan në shtrat. Nuk ndodhi gjatë luftës, nuk ndodhi gjatë bombardimeve. Më vjen vërtet keq për çdo civil të papërfshirë, veçanërisht për fëmijët që po lëndohen nga lufta. Por Izraeli, as qeveria, as ushtria, nuk kanë vënë kurrë në shënjestër një foshnjë, një fëmijë, një civil apo  zonjat. Këta ishin shënjestra dhe ky është ndryshimi.

Elona Meço: Gjatë takimit që patët, kryeministri Rama jua shprehu shqetësimin për konfliktin e tejzgjatur në Gaza, për shkak të shkatërrimit, viktimave, vuajtjeve, siç u shpreh në një postim në platformën X?

Ambasadorja e Izraelit: Sigurisht që i shprehu. Dhe nuk e kundërshtova. Por duhet të them diçka. Ka shumë statistika që po shpërndahen nga lufta. Pyesni veten nga vijnë këta numra? Ministria e Shëndetësisë është Hamas, por, megjithatë, për mua nuk ka rëndësi, nëse është vetëm 1 foshnjë apo 10 mijë foshnjë. Fakt është që civilët po lëndohen, por faji është i Hamas-it. Kur Hamas-i sulmoi Izraelin ata e dinin që Izraeli do të reagonte. Çfarë menduan ata, që forcat tona ajrore do të uleshin dhe do të thonin “ooo jooo, ne nuk do të lëndojmë askënd”. Jo! Kjo është luftë! Kur ti deklaron një luftë, ti e di që njerëzit e tu do të vriten. Por ata nuk duan t’ia dinë. Ata e kanë nën kontroll Gazën, janë qeveria e Gazës që prej 2006-ës. Nuk ndërtuan qoftë edhe një strehë mbrojtëse. E dini çfarë ndërtuan? 500 kilometra tunele. Kur u pyetën nga media ndërkombëtare pse kur bombardoheni nga Izraeli nuk i çoni civilët në tunele, ata thanë “jo, tunelet janë për luftë. Na duhen.”. Hamas-i duhet të mbahet përgjegjës për çdo foshnje që është lënduar në Gaza, për çdo viktimë në Gaza. Dhe e dini çfarë? Njerëzit kanë nisur të zgjohen.

Elona Meço: Po tani që ushtria izraelite është në jug, ku do të shkojnë palestinezët? Do të vriten edhe më shumë njerëz?

Ambasadorja e Izraelit: Duhet të bëj diçka shumë të qartë dhe pastaj do të përgjigjem. Kjo është një luftë dhe Izraeli duhet të mbrojë civilët e tij. Ne duhet të luftojmë Hamasin me çdo çmim. Duke thënë këtë, ne i marrim në konsideratë civilët në Gaza. Kur rinisi sulmet, Izraeli shpërndau fletushka me zona specifike në Gaza ku thuhëj “shkoni në këtë zonë, sepse në këtë tjetrën do të bombardohet”. Më tregoni një ushtri në botë që shpërndan fletushka tek njerëzit përpara bombardimeve, duke u thënë se po bombardojmë këtu dhe jo atje. Ne e dimë që Hamas-i po i përdor këta civilë dhe gjithashtu janë mes tyre dhe janë duke u arratisur me ta. E dimë, e kemi marrë në konsideratë, prandaj kjo luftë është më e gjatë sesa duhet të ishte, sepse ne po përpiqemi të shpëtojmë civilët.

Elona Meço: Do të doja t’ju bëja edhe shumë pyetje të tjera, por jemi në fund për shkak të minutazhit. Çfarë zgjidhje kanë palestinezët? Ju deklaruat tre kushtet dhe njëri prej tyre ishte përjashtimi i Hamas-it. Çfarë zgjidhje u keni lënë? Nuk ka Hamas, nuk ka Autoritet Palestinez. Kush do t’i qeverisë?

Ambasadorja e Izraelit: Palestinezët duhet të vendosin, nëse ata duan që të jenë një komb që ka një shtet, siç mundëm ne ta kishim në 1948-ën. Ata duhet të vendosin që të braktisin terrorin dhe të nisin të sillen si njerëz që nuk duan të luftojnë me terror. Jam e sigurtë që kur lufta të mbarojë dhe do të mbarojë, mund të marrë një muaj apo një muaj tjetër, por do të mbarojë dhe Hamas-i do të largohet nga Gaza, pra, kur lufta të mbarojë, nëse duan një shtet, duhet të nisin të ndërtojnë jetët e tyre pa terror. Terrori nuk është zgjidhje. Sapo ata ta deklarojnë dhe jo vetëm ta deklarojnë, por edhe ta zbatojnë këtë, palestinezët do të kenë të ardhme. Siç e thashë më parë, Gaza mund të jetë Singapori i Lindjes së Mesme. Paratë nuk janë problem. Minutën që lufta do të mbarojë, do të shohim se vendet donatore do të hedhin miliarda euro në Gaza për ta rindërtuar. Çështja është çfarë do të bëhet me këto para? Do t’i ivestojnë sërish në terror dhe bomba, duke sulmuar Izraelin? Golda Meyer, ish kryeministre e Izraelit ka thënë diçka shumë të bukur dikur: “Paqja do të triumfojë, kur palestinezët do të duan fëmijët më shumë sesa na urrejnë ne”. Kështu që, nëse ata vendosin të duan veten më shumë sesa të urrejnë Izraelin mendoj se kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë.