Vendosni fjalën kyçe....

SPAK zbardh akuzat për Vangjush Dakon dhe 10 të pandehurit e tjerë


SPAK ka zbardhur shkeljet që rëndojnë ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe për 10 të pandehurit e tjerë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet për procedimin penal nr.197/2020, që bën fjalë për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave e formularëve” dhe “Shpërdorimi i detyrës” dhe të parashikuara nga nenet 190 dhe 248 të Kodit Penal.

Objekt hetimi, në kuadër të këtij procedimi kanë qenë dy fakte penale: procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë si dhe procedura e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”, me fond limit 21.000.000 lekë me T.V.SH.

Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi ka rezultuar se:

Së pari, gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës Nr.02 datë 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të parashikuara nga Ligji Nr.8652, datë 31 Korrik 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” 

Dhe Ligji Nr. 10 119 datë 23 Prill 2009 “Për planifikimin e territorit” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm.

Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës.

Së dyti, në lidhje me faktin e dytë të hetuar ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.

Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015.

Ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.

Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve si më poshtë:

1-Vangjush Dako, me detyrë ish Kryetar i Bashkisë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal, e kryer dy herë;

2-Adhurim Qehajaj, me detyrë ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim.

Si dhe veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer dy herë dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 dhe 248 dhe 25 të Kodit Penal;

3-Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

4-Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

5-Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

6-Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar, i kontraktuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, e kryer në formën e falsifikimit të formularëve të miratuar, nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 190/3 dhe 25 të Kodit Penal;

7-Ferzilet Hajdëri, me detyrë Ing. Ndërtimi e Licencuar, në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

8-Adnand Toçila, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

9-Diana Dedja, me detyrë specialiste në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;10-Bashkim Salillari, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

11-Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Krahas dërgimit për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve të përmendur më sipër, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Meri Priftuli, pasi nga provat e administruara së fundi nga hetimi, u vërtetua se kjo shtetase nuk ka marrë pjesë në kryerjen e ndonjë vepre penale.