Vendosni fjalën kyçe....

Londinezët dynden në klube e restorante mbrëmjen e fundit para bllokimit


Londinezët u dyndën në klube nate dhe në restorante të mërkurën në mbrëmje, para se i gjithë vendi të futet në një bllokim të dytë.

Ndërsa numri i të vdekurve në Mbretërinë e Bashkuar nga koronavirusi u rrit me 492 raste, londinezët kërkonin një mbrëmje të fundit argëtim përpara bllokimit.

Njerëzit do të urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi nga e enjtja, për të luftuar numrin në rritje të infeksioneve që shkencëtarët thonë se nëse nuk kontrollohen, mund të shkaktojnë më shumë vdekje sesa vala e parë e pandemisë.

Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të madh zyrtar të vdekjeve në Evropë nga COVID-19 dhe po përballet me më shumë se 20,000 raste të reja të koronavirusit në ditë. Shkencëtarët paralajmëruan se në skenarin “në rastin më të keq” nëse nuk veprohet mund të tejkalohet një numër prej 80,000 viktimash.

Edhe para të mërkurës, të dhënat nga shërbimi i rezervimeve të restoranteve treguan një rritje të kërkesës për të shkuar në restorante në Londër, shkruan Reuters.

Policia përdori mediat sociale për të nxitur njerëzit që dilnin në mbrëmje të ndiqnin rregullat e distancimit social.

Pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar – Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut – kanë politikat e tyre të bllokimit dhe kanë vendosur kufizime më të ashpra shëndetësore muajin e kaluar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *