Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania përballet me krizë buxhetore, qeveria në kufijtë e kohës për të gjetur rrugëdalje


Me ekonominë e saj në vështirësi, Gjermania tani po përpiqet të gjejë një rrugëdalje nga një krizë buxhetore pasi një gjykatë rrëzoi miliarda fonde për projektet e energjisë së pastër dhe ndihmën për kompanitë dhe konsumatorët që përballen me faturat e larta të shërbimeve për shkak të luftës në Ukrainë.

Kancelari Olaf Scholz ka në plan të tregojë se si ai dhe koalicioni i tij qeverisës ‘grindavec’ synojnë të rregullojnë gjërat, në një fjalim në parlament të martën. Qeveria duhet të gjejë me ngut shkurtime në planin pothuajse të përfunduar të shpenzimeve për vitin e ardhshëm, thonë analistët, gjë që mund të ngadalësojë më tej atë që tashmë është ekonomia kryesore me paraqitjen më të keqe në botë.

Megjithatë, një zgjidhje afatgjatë mund të zgjasë me vite, ndoshta deri pas zgjedhjeve të ardhshme kombëtare të planifikuara për në vitin 2025. Kjo për shkak se kufizimet e rrepta ligjore për huamarrjen e përmendur në vendimin e gjykatës së 15 nëntorit janë të parashikuara në kushtetutën e vendit dhe në parlament kërkohen dy të tretat e votave për t’i zbutur ato.

Ekonomistët thonë se shkurtimet e shpenzimeve do t’i shtojnë sfidat me të cilat përballet ekonomia më e madhe e Evropës, pasi Rusia ndërpreu gazin e lirë natyror që ushqente fabrikat e saj, duke shtrydhur bizneset dhe duke rritur koston e jetesës për familjet që paguajnë më shumë për energjinë.

“Ne i kemi lidhur vullnetarisht duart pas shpine dhe po shkojmë në një ndeshje boksi”, tha të premten zëvendëskancelari Robert Habeck, duke thënë se rregullat e borxhit ishin nga një kohë kur mbretëronte paqja dhe ndryshimet e klimës nuk merreshin seriozisht.

Duke nënkuptuar investimet masive të qeverisë në teknologjinë e gjelbër nga SHBA-ja dhe Kina, ai shtoi: “Të tjerët kanë futur patkua në doreza dhe ne nuk i kemi as duart të lira. Është e qartë se si do të përfundojë.”

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka anuluar rreth 60 miliardë euro shpenzime për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Ajo tha se qeveria nuk mund të zhvendoste fondet e papërdorura të destinuara për lehtësimin e pandemisë COVID-19 për të nxitur projektet e energjisë nga era dhe dielli, për të ndihmuar me faturat e energjisë dhe për të nxitur investimet në prodhimin e çipave kompjuterikë.

Kushtetuta kufizon deficitet në 0.35% të prodhimit ekonomik, megjithëse qeveria mund të shkojë përtej kësaj nëse ka një emergjencë që nuk e ka krijuar ajo, siç është pandemia.

Vendimi gjithashtu mund të zbatohet për shpenzime të tjera kombëtare dhe lokale bazuar në të njëjtën manovër kontabël të hedhur poshtë tani, duke mbuluar deri në 130 miliardë euro në shpenzimet e pritshme deri në vitin 2027.

Disa nga shpenzimet e ndaluara janë përdorur tashmë këtë vit. Për të respektuar vendimin, qeveria po ndryshon buxhetin e vitit 2023 duke shpallur një emergjencë, duke përmendur ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror nga Rusia dhe çmimet më të larta të energjisë.

Pa një tjetër deklaratë urgjence vitin e ardhshëm, qeveria do duhet të përpiqet të mbulojë mungesat prej rreth 30 miliardë deri në 40 miliardë euro – plus 20 miliardë deri në 30 miliardë euro për vitin 2025 – krahasuar me planet e mëparshme, sipas Holger Schmieding, kryeekonomist në bankën Berenberg.

Disa shpenzime mund të zhvendosen në partneritete publike-private ose të merren përsipër nga banka e zhvillimit të vendit. Megjithatë atë nuk pritet të mbërrijnë larg. Në fund të fundit, shpenzimet mund të zvogëlohen deri në 0.5% të prodhimit vjetor ekonomik për dy vitet e ardhshme buxhetore, tha Schmieding.

Kufijtë e borxhit u miratuan në vitin 2009 pasi qeveria grumbulloi borxhin për të rindërtuar ish-Gjermaninë Lindore pasi Gjermania u ribashkua në fund të Luftës së Ftohtë dhe kur të ardhurat nga taksat ranë gjatë krizës financiare globale 2007-2009 dhe recesionit të madh.

Për vite më pas, Gjermania e ekuilibroi buxhetin e saj ose madje kishte teprica të vogla, pasi ekonomi punonte me gazin natyror të lirë rus dhe lulëzimin e eksporteve të makinave luksoze dhe makinerive industriale, me Kinën në rritje të shpejtë që shërben si një treg kryesor. Ekonomistët thonë se qeveria ka kursyer në investime në infrastrukturë, energji të rinovueshme dhe dixhitalizim – boshllëqe që tani po përpiqet të plotësojë.

Pasojat e kanë lënë Gjermaninë të jetë ekonomia kryesore me paraqitjen më të keqe këtë vit, duke u tkurrur me 0.5%, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Perspektivat për vitin e ardhshëm janë vetëm pakëz më të mira. Industria po lufton me çmimet e energjisë dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar, ndërsa prodhuesit kinezë të automjeteve po sfidojnë Volkswagen, BMW dhe Mercedes-Benz të Gjermanisë dhe kanë plane për të zgjeruar shitjet në të gjithë Evropën.

Debati për buxhetin është ironik sepse Gjermania ka grumbullin më të vogël të borxhit afatgjatë nga çdo demokraci e zhvilluar e G7 me borxh prej 66% të prodhimit të brendshëm bruto. Kjo krahasohet me 102% në Britani, 121% në SHBA, 144% në Itali dhe 260% në Japoni.

Shpenzimet tashmë të ndaluara synonin disa nga problemet afatgjata që rrënojnë rritjen ekonomike, siç është nevoja për të investuar në burime të reja të energjisë së rinovueshme të përballueshme si era, dielli dhe hidrogjeni. Kjo ka çuar në thirrje nga disa për të liruar kufijtë e borxhit sepse ato kufizojnë përgjigjen e qeverisë ndaj sfidave të reja.

Por koalicioni i Scholz-it i socialdemokratëve, të gjelbërve dhe i demokratëve të lirë pro-biznesit nuk ka shumicën e dy të tretave për ta bërë këtë pa opozitën konservatore, Kristian Demokratët, që solli sfidën ligjore.

Megjithatë, edhe disa guvernatorët e opozitës në shtetet ku drejtojnë kanë thënë se kufijtë e borxhit duhet të lirohen. Kryetari i bashkisë së Berlinit Kai Wegener, një anëtar i Kristian Demokratëve, tha se dispozita ishte “një frenim për të ardhmen”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani