Vendosni fjalën kyçe....

Projekti në bashkëpunim me Emiratet, Balla: Do pajisim policët me kamera trupi, monitorim i qyteteve për sigurinë kombëtare


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, njoftoi për një projekt ‘Smart City’, për të cilin po punohet me qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Përmes këtij projekti, synohet monitorimi i zonave turistike dhe gjithë qyteteve me qëllim rritjen e sigurisë publike. Po ashtu, Balla tha se përmes këtij projekti synohet edhe pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi.

Por, ministri theksoi se ky projekt s’do jetë gati për këtë sezon turistik.

“Edhe pse nuk do të mund ta kemi dot gati për këtë sezon turistik gati, nuk mund të mos përmend që mezi presim të fillojmë zbatimin e projektit të madh SMART CITY (falë bujarisë së qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe) në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë dhe në të gjitha zonat turistike, me qëllim rritjen e sigurisë publike, mbrojtjen jetës dhe të pronës private, monitorimi trafiku, monitorim bregdeti, pajisja e punonjësve të policisë me kamera trupi etj përmes një sistemi gjithëpërfshirës zgjidhjesh teknologjike dhe inteligjence artificiale, do të na mundësojë kalimin në nivelin që duam të sigurisë.

Falë investimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar edhe Qendra e Monitorimit të Trafikut është në proces, duke na mundësuar kontrollin digjital të sigurisë rrugore në 200 km e para të rrugëve kryesore.

Na duhet të bashkojmë të gjitha forcat tona për t’i garantuar çdo vizitori të huaj dhe çdo qytetari shqiptar një sezon veror turistik vetëm me kujtime të bukura”, tha Balla.