Vendosni fjalën kyçe....

SPAK i bllokon pasaportën dhe i cakton masën detyrim paraqitje Ilir Beqajt


Prokuroria e Posaçme i ka caktuar masë sigurie ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj. 

Beqaj akuzohet për koncesionin e sterilizimit për shpërdorimin e detyrës.

Ndaj Beqajt SPAK ka caktuar detyrim paraqitje dhe ka autorizuar mos largimit nga Shqipëria pa lejen e gjykatës duke i bllokuar edhe pasaportën.

Për koncesionin 100 milionë dollarësh të Sterilizimit, i arrestuar është ish-zv. Ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore nën akuzat “mashtrim”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.

Biznesmeni Rrapaj, ish ministri i Shëndetësisë Beqaj dhe zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj kanë udhëtuar së bashku me avion nga Italia në qershorin e 2014, periudhë që sipas hetimeve përkon me veprimet përgatitore të koncensionit.

Në një reagim të bërë në gusht, Beqaj deklaronte se ishte e nevojshme të krijohej një operator i vetëm për të bërë sterilizimin e pajisjeve mjekësore, pasi centrali i sterilizimit në QSUT nuk mbulonte nevojat për të gjitha spitalet në vend.

Sa i përket njohjes së tij me biznesmenin Ilir Rrapaj, ish-ministri i Shëndetësisë shprehej se e ka njohur pasi mori detyrën dhe kontratat me të i ka firmosur për nevoja pune.

Prej 17 gushtit 2023 të arrestuar me masë sigurie burg janë ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në masa sigurie ‘arrest me shtëpie’ ose ‘detyrim me paraqitje’.

Njoftimi i SPAK:

Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale  të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:

-Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

-Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.

-Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.

-Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..

Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).

Hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë