Vendosni fjalën kyçe....

Policia serbe ndalon dy shtetas shqiptarë me lëndë narkotike


Pjesëtarët e Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, Zyrës për Luftimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë Publike serbe për Krimin e Organizuar, kanë sekuestruar rreth një kilogram heroinë dhe 50 gramë kokainë dhe kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë me inicialet E.S.(28) dhe L.B. (58) për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike dhe bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave penale, – përcjell KDP.mk njoftimin e portalit serb Nova.rs

Po ashtu, raportohet se kallëzim penal për të njëjtat vepra penale është ngritur edhe për tre persona të tjerë për të cilët policia është në kërkim intensiv.

Policia serbe ka arrestuar shtetasin shqiptar me inicialet E. S. në pikë-pagesën rrugore Vërçin, ndërsa L. B. është arrestuar në Preshevë tek të cilët janë gjetur dhe konfiskuar këto lëndë narkotike.

Ata dyshohen se si anëtarë të një grupi të organizuar kriminal kanë organizuar, transportuar dhe shitur lëndët narkotike kokainë dhe heroinë.

I njëjti portal serb rikujton se më herët ishin arrestuar katër pjesëtarë të këtij grupi të organizuar me inicialet G.M., R.M., S.H. dhe M. S., të cilët ngarkohen për veprat penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve dhe prodhimimit, mbajtjes, dhe shitjes së palejueshme të armëve dhe materieve  shpërthyese. Në këtë operacion, u konfiskuan pesë kilogramë marihuanë, 300 gramë kokainë, 1.4 kilogramë amfetaminë, 6.5 kilogramë përzierje lidokainë-paracetamol, dy pushkë, dy revole, një hark, një shënjestër optike, tre karikatorë për pushkë automatike, disa qindra copë municione  kalibresh të ndryshme, pesë pajisje gjurmuese, ndërsa janë konfiskuar disa automjete për pasagjerë.

Të dyshuarve E.S dhe L.B., u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe ata, krahas kallëzimit penal, do të dërgohen në prokurorinë kompetente, ndërsa të dyshuarit tjerë, me kallëzim penal janë ndaluar në Prokurorinë e Lartë Publike në qytetin serb të Pozharevcit.