Vendosni fjalën kyçe....

Ndihma amerikane për Ukrainën e rrezikuar nga kërcënimi për mbylljen e qeverisë


Zyrtarë të administratës së Presidentit Biden kanë paralajmëruar ligjvënësit amerikanë se dështimi për të miratuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë Ukrainës ndihma në vlerë prej 61.4 miliardë dollarësh, mund të çojë në fitoren e Presidentit rus Vladimir Putin brenda javës. Sipas korrespondentës së Zërit të Amerikës Katherine Gypson, disa ligjvënës republikanë janë kundër ndihmave shtesë për Ukrainën, ndërkohë që borxhi i Shteteve të Bashkuara mbetet i lartë.

Ndihma amerikane për Ukrainën po mbaron ndërkohë që ligjvënësve amerikanë po u afrohet afati për të negociuar kërkesën e Presidentit Joe Biden për një shtesë urgjente fondesh për çështje të sigurisë kombëtare.

“Ky investim tejkalon kufijtë e Ukrainës. Duke degraduar aftësinë ushtarake të Rusisë, ne po degradojmë aftësitë e atyre me të cilët Rusia bashkëpunon, si Irani, Hamasi dhe Hezbollahu. Këta aktorë i shohim të bashkërenduar, jo të izoluar,” thotë kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, Ben Cardin, shkruan VOA.

Ligjvënësit po nxitojnë të negociojnë ndihmën për Ukrainën, Izraelin dhe financimin e masave shtesë të sigurisë në kufirin ndërmjet SHBA-ve dhe Meksikës para 17 nëntorit, kur skadon afati i buxhetit të përkohshëm të qeverisë. Demokratët dhe disa republikanë thonë se të gjitha këto kërkesa për financim duhet të miratohen bashkë.

“Duhet të vazhdojmë të investojmë në zgjerimin e industrisë së mbrojtjes të Amerikës, për të zëvendësuar armatimet që i kemi dërguar Ukrainës me armatime të reja, si dhe për të plotësuar nevojat tona dhe për të shtuar prodhimin e armatimeve që iu duhen partnerëve tanë Izraelit, Tajvanit dhe aleatëve në rajonin e Indo-Paqësorit,” thotë udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

Por disa ligjvënës republikanë janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara po financojnë një ngërç në luftën e Ukrainës ndaj Rusisë, në një kohë kur fondet mund të përdorën për nevoja të brendshme.

“Po marrim hua. Nuk ka kuptim. Fondet po merren nga sektorë ku janë të nevojshme, për t’u përdorur për të nxitur dhe për të vazhduar luftën,” thotë Senatori republikan Rand Paul.

Administrata e Presidentit Biden ju tha ligjvënësve të mërkurën se pasojat e dështimit për të miratuar ndihmën për Ukrainën në luftën kundër Rusisë do të jenë të menjëhershme.

“Presidenti Putin thotë se nëse ne largohemi, Ukraina do të bjerë brenda javës,” thotë Ndihmës-sekretari i shtetit, James O’Brien.

Në prag të dimrit, zyrtarët amerikanë të ndihmave paralajmëruan se nuk ka më fonde për të mbështetur nevojat e Ukrainës.

“Nëse Kongresi nuk e miraton pakon shtesë financiare, organizatat tona partnere në Ukrainë do të detyrohen të zvogëlojnë me 75 për qind numrin e njerëzve që marrin ndihma humanitare, ose duhet të pezullojmë plotësisht programet humanitare,” thotë ndihmës-administratorja për Evropë e Agjencisë Amerikane për Ndihma dhe Zhvillim, Erin McKee.

Demokratët në Senat iu kundërpërgjigjën shqetësimeve të disa republikanëve se shtetet evropiane nuk po ndajnë barrën për të ndihmuar Ukrainën.

“Ekziston një koalicion global i 50 shteteve që japin mbi 90 miliardë dollarë ndihmë direkte – humanitare dhe ushtarake për Ukrainën – dhe ndonëse ne jemi donatori më i madh, kontributet për luftën për liri në vijat e frontit të Ukrainës janë me të vërtetë globale,” thotë Senatori demokrat Chris Coons.

Zyrtarët e administratës së Presidentit Biden u kanë thënë ligjvënësve se shtetet evropiane po ndjekin me vëmendje nëse Shtetet e Bashkuara do t’it miratojnë ndihma shtesë. Zyrtarët thonë se disa shtetet mund të tërheqin përkrahjen e tyre për Ukrainën, nëse kërkesa e Shtëpisë së Bardhë nuk miratohet nga Kongresi.