Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi për “Gërdecin”, reagon Mediu: Asnjë dëshmitar nuk ka bërë edhe dëshminë më të vogël kundër meje


Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me gjyqin që po zhvillohet në kuadër të hetimeve për çështjen “Gërdeci”.

Sipas tij, deri tani procesi gjyqësor është përqendruar tek dëshmitë e familjarëve që kanë humbur të afërmit apo ish të punësuarve, specialistëve ish-ushtarakë në fabrikën e Gërdecit dhe se asnjë dëshmitar nuk ka bërë qoftë edhe dëshminë më të vogël kundër tij.

Reagimi i plotë:

Të dashur miq.
🔹Këto ditë, por veçanërisht sot, pas seancës gjyqësore, ka patur një interesim të medias që duan të njihen me vlerësimin tim për procesin me aktakuzën e shpërdorimit të detyrës më çështjen e Gërdecit.
🔹Nuk ka asnjë interes politik, proces, shpërblim apo ndëshkim që zhbën tragjedinë, ku humbën jetën 26 persona dhe kjo ka qënë arsyeja që kam dhënë dorëheqjen si Ministër i Mbrojtjes.

🔹Por drejtësia nuk mund të jetë kurrë e drejtë, nëse bën një padrejtësi të re.
🔹Deri tani, procesi gjyqësor kundër meje është përqendruar tek dëshmitë e familjarëve që kanë humbur të afërmit apo ish të punësuarve, specialistëve ish-ushtarakë në fabrikën e Gërdecit.
🔹Dëshmitarët janë thirrur nga akuza, por, deri tani, asnjë dëshmitar nuk ka bërë qoftë edhe dëshminë më të vogël kundër meje. Dëshmitarët e akuzës kanë provuar se nuk kam patur asnjë lidhje me zbatimim e procesit. Ata kanë pohuar se nuk kam qenë kurrë në fabrikën e demontimit apo të kem pasur lidhje, qoftë edhe spontane me ata që janë marrë me këtë proces.
🔹Zero përgjegjësi! Sepse si Ministër i Mbrojtjes nuk kam shkelur ligjin, nuk kam favorizuar askënd, kam respektuar opinionin e ekspertëve ushtarakë, dhe Shefit të Shtabit.
🔹Në detyrën time jam drejtuar nga interesi publik shtetëror, jo nga interesi privat.
🔹Në lidhje me (pa)ligjshmërinë e procesit dua të vë në dukje se drejtësia nuk mund të bëhet kurrë e tillë, kur qëllimi i saj bëhet politika apo manipulimi i opinionit publik dhe jo zbatimi i ligjit dhe i Kushtetutës. Për këtë do të kemi rast të flasim më gjatë një herë tjetër. Jam i vendosur të mbroj vendimet e mia të drejta dhe të ligjshme.