Vendosni fjalën kyçe....

Zv.kryeministri italian Salvini: Italia s’është kampi i refugjatëve i Evropës


Zv.kryeministri italian Matte Salvini, ka përshëndetur marrëveshjen mes shefes së tij Meloni e kryeministrit të Shqipërisë Rama për ndërtimin e dy kampeve në territorin shqiptar që do presin deri në 39 mijë emigrantë në vit.

Salvini, që është njëkohësisht ministër transportesh shkruan në X se Italia nuk është kamp i refugjatëve i Evropës duke falënderuar kryeministrin Rama që e ka kuptuar këtë gjë. Sipas tij, duhet që këtë gjë ta kuptojë edhe Brukseli.

“Qeveria po ecën mirë, pasi ka nënshkruar një marrëveshje për transferimin e emigrantëve të paligjshëm që tentojnë të hyjnë në vendin tonë në Shqipëri. Është një hap konkret dhe domethënës. Italia nuk është kampi i refugjatëve i Evropës: Tirana e ka kuptuar këtë dhe meriton falenderime të sinqerta, Brukseli ende jo.” – shkruan Salvini në X.

Marrëveshja u nënshkrua ditën e djeshme në Romës mes kryeministres italiane Meloni e atij shqiptar Rama.

Ajo parashikon ngritjen në Portin e Shëngjinit e në Lezhë të dy kampeve që do presin deri në 39 mijë emigrantë në vit. Bëhet fjalë për emigrantë që do kapen në det pa mbërritur në tokën italiane.

Ata do qëndrojnë në Shqipëri deri në shqyrtimin e kërkesës për azil e në rast se nuk e përfitojnë, do riatdhesohen. Kampet do ndërtohen nga Italia ndërsa Shqipëria nuk do marrë asgjë si kompensim financiar duke ofruar sigurinë për kampet.

Sipas zv.ministrit italian për Shtetin Giovanbattista Fazzolari, numri prej rreth 36 mijë emigrantësh në vit është eksperimental dhe si fillim është i kënaqshëm.