Vendosni fjalën kyçe....

“Asnjë vend në Afrikën e Veriut s’e pranoi ngritjen e kampeve për refugjatët” – Reuters


Italia do ndërtojë qendra në Shqipëri për të pritur emigrantët detarë që përpiqen të dalin në breg, tha të hënën kryeministrja Giorgia Meloni teksa zbuloi një skemë të re në përpjekje për të ulur numrat që janë pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin e kaluarën, shkruan Reuters.

Meloni tha se qendrat shqiptare fillimisht do strehojnë rreth 3,000 njerëz kur ato të hapen në pranverën e 2024. Ajo tha se qeveria italiane më pas shpresonte të rriste kapacitetin e saj për të përpunuar 36,000 emigrantë në vit.

Më shumë se 145,000 emigrantë kanë dalë në breg në Itali deri më tani në 2023, krahasuar me rreth 88,000 në të njëjtën periudhë në 2022.

Administrata e Melonit ka ashpërsuar tashmë kushtet e burgut për kontrabandistët e qenieve njerëzore dhe vendosi të rrisë numrin e qendrave të paraburgimit në të gjithë vendin për të mbajtur emigrantët përpara riatdhesimit të tyre të mundshëm.

Partia e djathtë e Melonit, ‘Fratelli D’Italia’, ka kërkuar prej kohësh që objekte të tilla të ngrihen jashtë Bashkimit Evropian, duke propozuar për shembull Afrikën e Veriut, por asnjë vend nga ai rajon nuk e kishte pranuar.

“Unë e konsideroj këtë si një marrëveshje të vërtetë europiane dhe dua të them se tregon se është e mundur të punohet së bashku për menaxhimin e flukseve migratore”, tha Meloni duke folur në Romë përkrah homologut të saj shqiptar Edi Rama.

“Ata do qëndrojnë në këto qendra për kohën e nevojshme të përpunimit të kërkesave për azil dhe nëse është e nevojshme, për riatdhesim,” tha ajo.

Kryeministrja italiane tha se të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera vulnerabël nuk do dërgoheshin në Shqipëri. Disa hollësi të tjera të projektit, përfshirë koston, janë zbuluar.

Një burim në zyrën e saj tha se qëllimi i planit ishte të parandalonte largimet e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore dhe do të zbatohej vetëm për migrantët e shpëtuar në det nga roja bregdetare ose marina italiane, jo nga grupet e bamirësisë.

I njëjti burim mohoi se Italia do t’i paguante ndonjë para Shqipërisë për të pritur qendrat.

Meloni tha se Italia do ndërtojë një strukturë identifikimi të emigrantëve në portin shqiptar të Shëngjinit dhe një qendër riatdhesimi në brendësi. Të dy objektet do funksionojnë nën juridiksionin italian, tha ajo.

Duke folur në italisht, kryeministri Rama tha se e ndjen për detyrë të ndihmojë Romën për shkak të marrëdhënieve të veçanta mes dy vendeve, të lidhura ndër të tjera nga afërsia gjeografike dhe historia koloniale.

“Të japësh dorën në këtë rast do të thotë të ndihmosh për të menaxhuar një situatë që të gjithë e shohin se është e vështirë për Italinë”, tha Rama.

Vendet kryesore nga emigrantët kanë mbërritur në Itali në vitin 2023 ishin Guinea, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia, tregojnë të dhënat zyrtare.

Plani i Romës i bën jehonë një përpjekjeje të qeverisë britanike për të dërguar mijëra azilkërkues në Ruandë.