Vendosni fjalën kyçe....

SHBA e BE diskutojnë masat e reja, të shqetësuara se ndalimi i plotë i energjisë ruse dëmton më shumë Brukselin se Moskën


Zyrtarët nga SHBA dhe BE thuhet se po diskutojnë masat që mund të marrë Brukseli për të frenuar në mënyrë efektive importet e naftës nga Rusia dhe për të ulur të ardhurat që merr Moska.

Mundësitë përfshijnë ndalimin, kufirin e çmimit e një mekanizëm pagese që do të lejonte që të ardhurat e krijuara nga nafta bruto të ndalohen nga vendi i sanksionuar, sipas personave që kanë njohuri mbi diskutimet e që janë cituar nga Bloomberg.

Bisedimet vijnë si pjesë e fushatës së fundit të sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë lidhur me operacionin ushtarak në Ukrainë. Ndërsa SHBA prezantoi një ndalim të plotë të energjisë nga Rusia, gjë që iu bë jehonë nga Kanadaja, Australia dhe Japonia, vendet anëtare të BE-së janë ndarë për këtë çështje.

SHBA thuhet se është e shqetësuar se një ndalim i drejtpërdrejtë i BE-së ndaj naftës ruse mund të çojë në rritje të çmimeve, duke rritur edhe më shumë të ardhurat e Moskës. Të enjten, Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen konfirmoi se një embargo e plotë mund të dëmtojë rëndë ekonomitë evropiane pa krijuar aq shumë ndikim mbi Rusinë sa ishte planifikuar.

Brukseli pritet të paraqesë propozime për anëtarët e BE për t’i diskutuar javën e ardhshme. Një bashkërendim për një ndalim të kufizuar të naftës së papërpunuar do të ishte më i lehtë për t’u arritur sesa kufizimi i importeve të naftës dhe produkteve të tjera.

Në fillim të kësaj jave, disa diplomatë i thanë Politico-s se BE do të prezantojë një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Rusisë që në fillim të javës së ardhshme. Paketa pritet të përfshijë një formë ndalimi të importeve të naftës ruse dhe gjithashtu mund të synojë më shumë banka ruse duke i përjashtuar ato nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Pëgatiti për Hashtag.al, K.Manjani