Vendosni fjalën kyçe....

Rrjeti i tuneleve të Gazës e lë Izraelin përballë një lufte “tredimensionale”


Kaq kërcënues është labirinti i gjerë nëntokësor i gërmuar nga Hamasi sa izraelitët në betejat e kaluara i quajtën këto struktura “tunele terroriste”. Kjo botë e nëndheshme e kalimeve, depove të armëve dhe rrugëve të arratisjes poshtë Gazës mund të jetë edhe më e frikshme tani.

Ndërsa trupat tokësore izraelite nxitojnë për të rrethuar qytetin e Gazës, të dy palët mund ta gjejnë veten duke luftuar një luftë urbane “tre-dimensionale” – me luftëtarë që qëllojnë nga çatitë e ndërtesave të shkatërruara, nga rrugët mes rrënojash dhe nga tunelet e nëndheshëm, thonë analistët ushtarakë.

E gjithë kjo mund të ndodhë në lagje ende të mbushura me civilë, mes të cilëve fëmijë.

Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se ka 1,300 tunele, që shtrihen në rreth 500 kilometra në gjithë Rripin e Gazës, i cili në vetvete është vetëm 25 40 klometra i gjatë. Ushtria e përshkruan rrjetin si një nga rrjetat nëntokësore më të përpunuara në botë. Ai thotë se ka bunkerë nëntokësorë poshtë spitaleve të Gazës. Mjekët palestinezë e kanë mohuar këtë.

Protokolli ushtarak izraelit në përgjithësi ndalon trupat e rregullta tokësore të hyjnë në tunele, pasi mundësitë për t’u vrarë ose kapur janë shumë të larta. Izraelitët kanë parë ushtarët e tyre të kapur dhe të tërhequr zvarrë në tunele, kështu që strategjia e mundshme do të jetë përpjekje për t’i shkatërruar ata nga largësia.

Në një intervistë javën e kaluar me The Washington Post, udhëheqësi i lartë i Hamasit, Ali Baraka, që ndodhej në Bejrut, tha se “luftëtarët janë nën tokë, duke pritur për betejën”. Ai pretendoi se ka 40,000 operativë në Brigadat Izzedine al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit dhe 20,000 në fraksione të tjera. “Ata nuk mund të përballojnë 60,000 luftëraë,” tha ai, duke sfiduar thirrur ushtrinë izraelite.

Kalimet e Hamasit, të gërmuara me mjete dore gjatë dekadave, janë të përforcuara me beton të parapërgatitur dhe kanë tramvaj për karrocat e dorës, ndriçimin elektrik, nyjet e komunikimit dhe ventilatorët e ajrosjes.

Shumica janë të ngushtë, nga bërryli në bërryl, dhe shumë pak të alarta. Por disa janë mjaft të gjera për automjete të vogla. Betejat e kaluara sugjerojnë se shumë nga tunelet mund të jenë të bllokuar nga grackat.

Ka kaq shumë tunele sa zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, admirali Daniel Hagari, e ka quajtur sistemin nëntokësor “Metro Gaza”.

Këto tunele mund t’i lejojnë luftëtarët e Hamasit të rivendosen shpejt n largësi të konsiderueshme – jo vetëm nga rruga në rrugë – dhe të rifurnizohen, të riarmatosen, të evakuojnë të plagosurit dhe të arratisen. Udhëheqja e Hamasit ka theksuar se tunelet nuk janë për përdorim civil si strehimore për sulme ajrore. Rrjeti, këmbëngul Hamasi, është vetëm për luftëtarët.

Forcat izraelite tashmë janë përfshirë në beteja me armë me militantët e Hamasit që shfaqen nga tunelet. Forcat ajrore kanë goditur gjithashtu vendet e dyshuara të tuneleve ndërsa synonin komandantët e Hamasit, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Bombardimi intensiv i kampit të refugjatëve Jabalya ditët e fundit la kratere të mëdhenj, për të cilët Marc Garlasco, një këshilltar ushtarak në organizatën holandeze PAX për Paqen dhe ish-hetues i krimeve të luftës të OKB-së, tha se ndoshta ishin shkaktuar nga municionet e fuqishme ose bombat JDAM që shpërthejnë me vonesë.

“Kur një bombë 900 kilogramëshe paund bie në tokë, toka kthehet në lëng”, shkroi Garlasco në një mesazh për The Washington Post.

“Është si një tërmet.” Qindra civilë që jetonin në zonë u vranë dhe u plagosën në ato sulme.

Në vitin 2014, në ofensivën e fundit të madhe tokësore në Gaza, e cila zgjati 50 ditë, ushtria izraelite raportoi se “asgjësoi” 32 tunele, 14 prej të cilëve kalonin në Izrael.

Tunele të gërmuar nga ana e Gazës dhe në drejtim të territorit izraelit, u projektuan nga Hamasi për të nisur sulmet në qendrat ushtarake izraelite dhe fshatrat bujqësore përgjatë kufirit të Gazës. Një qëllim kryesor i izraelitëve në luftën e vitit 2014 ishte shkatërrimi i tuneleve.

Siç është parë, gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael, Hamasi nuk u mbështet te tunelet për të shkelur perimetrin e sigurisë së vendit. Militantët kaluan mbi tokë përmes mureve izraelite e linjave të gardhit me lehtësi relative, siç tregohet në kamerat e trupit të mbajtura nga operativët e Hamasit.

Në këtë pushtim, Izraeli ka deklaruar se qëllimi i tij është të shkatërrojë Hamasin si forcë qeverisëse dhe ushtarake në Gaza, duke shpëtuar gjithashtu 240 pengjet e marra nga Hamasi dhe militantët e tjerë. Vendndodhja e pengjeve është e paqartë, por IDF beson se shumë mund të mbahen në tunele.

Një nga ata që u kapën rob, Yocheved Lifshitz, 83-vjeçarja e liruar javën e kaluar nga Hamasi, i tha një grupi gazetarësh në Tel Aviv se persona të armatosur palestinezë e kishin marrë atë në pjesën e pasme të një motoçiklete “derisa arritëm në tunele”.

 “Atje ne ecëm me kilometra nën tokë në tokë të lagësht”, tha ajo, duke shtuar se rrjeti i tunelit ishte “si një rrjetë merimangash – shumë e shumë tunele”.

“Ne arritëm në një dhomë të madhe ku ishin mbledhur rreth 25 prej nesh,” tha ajo. Atje ata u mbajtën deri në lirimin e saj më shumë se dy javë më vonë.

Joel Roskin, një gjeolog në Universitetin Bar-Ilan, tha se shtresat e baltës ranore të vendosura në Gaza gjatë 500,000 viteve të fundit janë perfekte për tunele të cekëta.

“Ne nuk po flasim për gur dhe shkëmb, dhe kështu mund të përdoren mjete të thjeshta për të gërmuar, mjete që nuk i dëgjon nga lart,” tha ai.

Gërmimi i puseve të ujit për bujqësi është një praktikë e lashtë në Gaza, tha Roskin, dhe kjo njohuri u përdor për të gërmuar tunele në Rafah midis Gazës dhe Egjiptit në vitet 1980 për të mundësuar kontrabandën, një biznes që lulëzoi nën Hamasin pasi Izraeli u largua nga Rripi i Gazës në 2005.

Ata tunele kontrabandë ishin mjaft të mëdhenj për të sjellë plehra, bagëti, elektronikë, çimento dhe madje edhe automjete Mercedes-Benz të çmontuara, si dhe armatime për Hamasin.

Më vonë, Hamasi nisi një gërmim tunelesh nëpër Gaza. Infrastruktura nëntokësore përdoret për qendra komandimi dhe kontrolli, armatime, magazina ushqimore dhe karburantesh, depo armësh dhe fabrika nëntokësore për prodhimin e raketave.

Ben Milch ndihmoi në një goditje të kufizuar kundër tuneleve në vitin 2014. Gjatë asaj vere, emigranti i lindur në Ioëa në Izrael ishte komandant në Korpusin e Inxhinierisë Luftarake në Gaza, ku njësia e tij shkatërroi 15 tunele.

“Në vitin 2014, objektivi ynë ishte të shkatërronim tunelet që të çonin në Izrael kështu që ne nuk shkuam shumë larg në Rripin e Gazës”, tha ai, duke vlerësuar se trupat izraelite hynë në më pak se 3.2 kilometra në territor.

Kjo luftë mund të jetë shumë ndryshe, tha ai.

Në luftimet e mëparshme, tha Milch, ushtria do përdorte bomba tymues për të zbuluar boshtet e ventilimit të tuneleve të Hamasit, më pas gërmonte duke përdorur ekskavatorë dhe buldozerë të blinduar dhe shkatërronte tunelet me ngarkesa shpërthyese.

Ai kujton se ka hedhur bomba tymuese në tunele dhe ka parë shtëllungat e jo një ose dy boshteve të ventilimit, por “20, 30, 40” në një zonë sa një fushë futbolli.

“Pra, ishte qartësisht e ndërthurur dhe një labirint, në thelb,” tha ai.

Kobi Michael, një studiues i lartë në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, tha: “Ne nuk do të hyjmë vetë në tunele; ne nuk do të luftojmë në tunele, 30, 40 metra nën tokë.”

“Ne kemi, supozoj, disa mjete dhe mënyra krijuese që do na mundësojnë të shkatërrojmë këto tunele mbi kokat e terroristëve të Hamasit që fshihen brenda”, tha Michael, duke kundërshtuar të spekulojë mbi përdorimin e sensorëve të klasifikuar në terren.

Ka forca speciale të IDF-së që janë stërvitur në luftime tunelesh. Izraelitët kanë përdorur edhe robotë.

Për izraelitët, identifikimi i tuneleve mbështetet në mbledhjen e inteligjencës për vendndodhjet e tyre, si dhe në sensorë dhe metoda të tjera.

Izraeli ka shpenzuar shumë të mëdha për të ngritur një “mur me pengesa” të fortë, i cili është një lloj mburoje nëntokësore në periferinë e Gazës. Ai ka vendosur sensorë tokësorë për të dëgjuar zhurmën e lopatës, për të gjetur kavitete dhe për të zbuluar lëvizjen. Shumë nga mjetet u zhvilluan fillimisht për kërkimin e naftës dhe gazit.

Sfida, thonë disa ekspertë, është se këta “geo-telefonë” mund të funksionojnë mirë në mjedise sterile dhe të qeta, por më pak gjatë një beteje me tanke që gjëmojnë afër, tha Daphné Richemond-Barak, në Institutin Ndërkombëtar për Kundërterrorizmin në Universitetin Reichman në Izrael. Ajo shtoi se lufta në tunele ka qenë gjithmonë sfiduese, duke përmendur Vietnamin, Afganistanin, Sirinë dhe Irakun.

“Por tani kur e sjell këtë në një mjedis urban, ku civilët mund të jenë të pranishëm, detyra bëhet pothuajse e pamundur për t’u kapërcyer,” tha ajo, duke vënë në dukje se mbivendosja e terrenit urban dhe nëntokësor paraqet një “nivel të ndërlikuar të paprecedentë”.

“Është eksponenciale, në një farë mënyre,” shtoi ajo. “Nuk është thjesht më keq; është në mënyrë eksponenciale më e ndërlikuar të luftosh në këtë lloj mjedisi.”

Zëdhënësit e ushtrisë izraelite thonë se qindra objektiva nëntokësore janë goditur në katër javë bombardime, të cilat zyrtarët në Gaza thonë se kanë marrë mijëra jetë civilë.

Analistët ushtarakë supozojnë se sulmet izraelite kanë përdorur shkatërrues bunkerësh, sulme të drejtuara me saktësi, armë termobarike dhe, potencialisht, edhe ujë me presion të lartë.

“Ajo që ka të ngjarë të shohim është se Izraeli do përdorë një përzierje të këtyre metodave të ndryshme dhe potencialisht edhe të reja, në varësi të llojit të strukturave nëntokësore, në varësi të vendndodhjes së tij brenda Rripit të Gazës dhe në varësi të civilëve përreth strukturës, nëse ka ende atje”, tha Richemond-Barak.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post