Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Kam denoncuar lidhjet e Veliajt me Teheranin, ‘Geogenix’ do sjellë 100 milionë euro të dyshimta për t’i investuar te inceneratori


Kreu i Rithemelimit Berisha ka denoncuar sot se aksionerët e kompanisë Geogenix do vijnë në Tiranë pasi kërkojnë të sjellin 100 milionë euro me burime të paqarta në Shqipëri për t’i investuar te inceneratori i Tiranës.

“Çështja tjetër që unë desha t’u sjell në vëmendjen tuaj, është një çështje shumë e veçantë. Sot, me datën 20.10.2023, aksionerët e kompanisë Geogenix BV, kanë ardhur në Tiranë për të zhvilluar një takim pranë Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, pasi kërkojnë të sjellin 100 milionë euro në Shqipëri, me burime të paqarta, për të bërë investime te inceneratori i Tiranës. Unë ju kam njoftuar këtu në mënyrë të përsëritur për lidhjet e Erion Veliajt me Tosin dhe Alfredo Presecin. Ju kam njoftuar këtu lidhjet e Presecit me kompaninë e ish-komandantit të Pasdaranit, Gardës Revolucionare të Iranit. Kam paraqitur këtu disa fotografi, dokumente që faktonin këto lidhje. Ekziston një akuzë e hapur nga një anëtar i këtij grupi, Gabriele, i cili u mbajt këtu në burg disa muaj dhe u lirua pa asnjë akuzë, por me kusht që të mos kthehet më në Shqipëri se ai i dinte të gjitha këto zhvillime të brendshme të këtij grupi supermafioz.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se i ka denoncuar udhëtimet e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj me Alfredo Presecin dhe se individët e përmendur prej tij janë marrë në pyetje nga autoritetet italiane e ato shqiptare.

Berisha theksoi se ata i njohin Klodian Zoton e Mirel Mërtirin pavarësisht se kanë deklaruar të kundërtën.

“Pra, kam denoncuar këtu udhëtime të Erion Veliajt me Presecin, me çartera, takime të Erion Veliajt, por ajo që është tani, mund t’u them se Belind Këlliçi ka denoncuar dhe faktuar dje me dokumente, ka dorëzuar dosjen në SPAK, në të cilën fakton se këta individë, të marrë në pyetje nga autoritetet italiane, por edhe shqiptare, kanë mashtruar si autoritetet italiane, po ashtu edhe autoritetet shqiptare. Pasi grupi i ekspertëve që punon me zotin Këlliçi, kanë dokumente origjinale që faktojnë të kundërtat e atyre që kanë deklaruar Preseci dhe Tosi në prokurorinë italiane dhe shqiptare. Sipas deklaratave të tyre, ata nuk kanë lidhje dhe nuk njohin fare Zoton dhe Mërtirin, ndërkohë kur dokumentet e dorëzuara në SPAK, tregojnë se janë takuar me Klodian Zoton dhe Mërtirin shpeshherë gjatë vitit 2022. Ndërkohë që Klodian Zoto që në vitin 2021 ishte person në kërkim, ndërsa këta takoheshin në vitin 2022.” – shtoi Berisha.

Kreu i Rithemelimit tha gjithashtu se i ka denoncuar më herët lidhjet e kryebashkiakut të Tiranës Veliah me regjimin iranian.

Berisha tha se Mirel Mërtiri ka ikur nga Austria e ka gjetur strehë në Holandë dhe se takimet mes emrave të përmendur prej tij janë zhvilluar në Milano, Zvicër e Vjenë.

“Takimet, mbledhjet janë zhvilluar në Milano, Zvicër dhe Vjenë. Këta zotërinj që vijnë sot me ndërmjetësimin, sipas burimeve, të Erion Veliajt, unë kam denoncuar lidhjet e hershme të Veliajt me Teheranin, këta kanë gjetur nga burime që duan hetim, 100 milionë euro borxh. Nga kjo ata përfitojnë vetë 25 milionë euro bonus. Më pas këto aksione do ia kthejnë përmes një personi të besuar, Mirel Mërtirit, pra Erion Veliajt. Mërtiri, tani thonë, nga Vjena ka kaluar në Holandë. Madje thuhet se atje ka gjetur si strehë, nuk e di, por prokuroria nuk ka interes fare për këto punë. Këto janë zhvillime të tjera në aferën e vjedhjes së shekullit ku Erion Veliaj dhe Edi Rama po bëjnë gjithçka që të mbeten pronarë realë të saj. Sot kanë takimin në ora 1, pas këtij lajmi ndoshta nuk e bëjnë aty, e bëjnë diku fshehtas, por lajmi është shumë i vërtetë.” – tha Berisha.

Pak muaj më parë Berisha denoncoi lidhjen e kryebshkiakut të Tiranës Veliaj me regjimin e Iranit megjithatë fotoja që nxorri ai në emisionin ‘Opinion’ i përkiste kitaristit Joe Walsh.