Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Qeveria refuzon t’i përgjigjet pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese për koncesionin e Butrintit


Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se, qeveria ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve në Gjykatën Kushtetuese për koncesionin e Butrintit. 

Sipas saj, kjo është prova që koncesioni i Butrintit nuk mbron trashëgiminë dhe identitetin kombëtar. Ajo u shpreh se, “në kuadër të transparencës për një pasuri kombëtare me vlera botërore siç është Butrinti do informoj publikun për ecurinë e gjykimit në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata dhe ne si kërkues i kemi drejtuar disa pyetje Këshillit të Ministrave”.

Sipas saj, këto pyetje, jo vetëm kanë ngelur pa përgjigje gjatë procesit, por përbejnë edhe disa prej pyetjeve kryesore të kësaj çështjeje që qeveria ka refuzuar haptazi t’i përgjigjet Gjykatës Kushtetuese. 

“Ajo që është shkelja me flagrante është fakti se qeveria këtë refuzim për t’u përgjigjur e ka bërë me shkresë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke fshehur kështu fakte dhe rrethana për të cilat gjykata ishte e interesuar”, tha ajo. “Ditë pas ditë kemi vendosur të japim çdo detaj mbi këtë çështje që lidhet me identitetin tonë kombëtar, me historinë, me trashëgiminë tonë kombëtare, pasi ruajtja e tyre janë detyra kryesore ndaj qytetarëve”, shtoi më tej Zhupa.

“Butrinti është një qytet antik që nuk është zbuluar plotësisht. Kërkimet dhe interpretimet e gjetjeve aty lidhen drejtpërdrejt me identitetin, trashëgiminë dhe historinë e vendit tonë”, u shpreh Zhupa. 

“Gjykata Kushtetuese sot ka provën e radhës me këtë refuzim. Ka provën se si shteti shqiptar dështon me këtë koncesion të ruajë dhe të mbrojë trashëgiminë kulturore edhe identitetin kombëtar. Prandaj ne jemi sot këtu, për të informuar publikun, por për ta risjellë në vëmendje të kujtdo qe e do Shqipërinë dhe shqiptaret. Ky koncesion duhet ndalur sa më shpejt”, tha ndër të tjera ajo.