Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënohen tri gjyqtare të tjera, prokuroria nis urgjent hetimet


Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se tri gjyqtare të Gjykatës së Apelit janë kërcënuar gjatë shpalljes së vendimit ndaj një grupi kriminal.

Tri gjyqtaret e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dfhe Edlira Petri janë kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë shpalljes së një vendimi. Menjëherë gjyqtaret  kanë kryer kallëzimin se janë kërcënuar për shkak të detyrës dhe Prokuroria ka nisur me urgjencë hetimet për çështjen.

Burimet, i thanë Anila Hoxhës se, kërcënimi i gjyqtareve ndodhi ditën kur dënuan 5 shtetas dhe konkretisht; Daut Elmazin, Gentian Zoton, Igli Memajn, Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn, të cilët ishin akuzuar për një atentat të vitit 2019-të në qytetin e Vlorës, me të cilin u synua të vritej një personazh i botës së krimit i identifikuar si, Ines Hajrulla.

Gjatë shpalljes së vendimit të pandehurit mungonin, raporton Anila Hoxha, por salla ishte e mbushur me familjarët e tyre. Pasi kanë dhënë vendimin gjyqtarët janë tërhequr në dhomën e këshillimit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shoqëruar kërcënuesit që ndodheshin në sallën e gjyqit.

Për këtë arsye Gjykata e Lartë reagoi për të gjitha kërcënimet e gjyqtarëve dhe magjistratëve, përfshi dhe kërcënimin e dy prokuroreve Doloreza Musabelliu dhe Merita Sinani që hetuan grupin kriminal të Lushnjës.

VINI RE: Ky material është pronësi intlektuale e Top Channel