Vendosni fjalën kyçe....

Vihen në pranga dy të rinj, vidhnin monopatina nëpër Tiranë 


Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi vidhnin biçikleta dhe monopatina në zona të ndryshme të Tiranës. 

Bëhet fjalë për shtatsit  D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim një 17 vjeçar. 

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi K. L., 19 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tyre është bërë në bazë të operacionin policor të koduar “Monopatina 2”. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe ato të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se disa shtetas vidhnin biçikleta dhe monopatina në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Monopatina 2”.     

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan shtetasit D. Sh., 18 vjeç dhe S. H., 19 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një shtetas 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi K. L., 19 vjeç, banues në Tiranë.

2 shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me 17-vjeçarin e shpallur në kërkim, dyshohet se më datë 01.10.2023, kanë vjedhur një monopatinë në Rrugën e Kavajës. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi S. H. siguronte sendet e vjedhura nga shtetasi D. Sh. dhe nga 17-vjeçari, të cilat më pas i shiste kundrejt përfitimeve të ndryshme monetare.   

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. L., i cili shoqëronte shtetasin D. Sh., iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.    

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën një biçikletë elektrike dhe 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me lëndën narkotike.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme, – njofton policia.