Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e popullsisë dhe çmimet e larta të ushqimeve po ulin importet e veshjeve të reja, por rritet tregu i ‘Gabit’


Importet e veshjeve dhe tekstileve në sasi ranë në të gjitha kategoritë gjatë 8-mujorit 2023 duke reflektuar kërkesën më të ulët të konsumatorëve për këto produkte.

Sipas të dhënave të INSTAT në janar-gusht, importet e këpucëve në sasi pësuan rënie vjetore me 19%. Tkurrje të ngjashme pësoi edhe importi i pëlhurave dhe tapicerive të ndryshme.

Veshjet dhe rroba plotësuese shënuan rënie me 10%. Në te kundërt rrobat e përdorura pësuan rritje me rreth 3.4%.

Të dhënat nga tregu pohojnë se, tregtia me pakicë e veshjeve ka pësuar rënie kryesisht nga ulja e popullatës banuesve në vend sidomos te rinjve. Moshat e reja janë konsumatorë të mëdhenj të veshjeve dhe këpucëve. Me te vjetrit kanë nevoja më të reduktuara për veshje dhe nuk konsumojnë volumet e grupmoshave të tjera të popullsisë.

Një arsye tjetër lidhet me rënien e fuqisë blerëse për veshje. Çmimet e ushqimeve janë rritur me ritme dyshifrore pas luftës në Ukrainë duke bërë që shporta e shpenzimeve mujore të anojë nga ushqimet më shumë se për veshjet.

Tregtarët e pakicës pohojnë vitin e fundit se kërkesa ka rënë ndjeshëm dhe konkretisht që kur nisi rritja e çmimeve të ushqimeve.

Ashtu si edhe për mallrat e tjera, çmimet e veshjeve kanë qenë më të larta pasi vala e kostove ka përfshirë edhe këtë sektor.

Në të kundërt, veshjet e përdorura janë grupi i vetëm që shënoi rritje. Rrobat e përdorura po regjistrojë rritje vit pas viti, tendencë që ka vijuar edhe në vitin 2023. Kjo tregon se gjithnjë e më shumë disa kategori konsumatorësh po zhvendosen në këtë segment që po përhapet me shpejtësi.

Ndryshimet klimatike po luajnë rol. Dimri i ngrohtë ka ndikuar në rënien e shitjeve të këpucëve në të gjithë globin vitin e kaluar, duke rritur stoqet në magazina gjatë këtij viti.

Gjithashtu veshjet e dimrit kaluan një sezon të vështirë vitin e kaluar. Stinët jo normale janë duke e ndikuar negativisht edhe industrinë e modës dhe bizneset e lidhura më to, që nga prodhimit tek shitjet.

Këtë vit, fabrikat e prodhimit të këpucëve në vendin tonë kanë ulur sasitë edhe nga fakti se moti i ngrohtë ka tkurrur kërkesën për këpucë në Europë./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor